Pas marrëveshjes mes dy qeverive të Kosovës dhe Serbisë muri i ndërtuar në veriun e Mitrovicës u shemb gjatë ditës së djeshme. Ndërkohë që një premtim për ruajtjen e stabilitetit vjen nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç. Ai mohon zërat se do të ngrihet një mur tjetër, një ditë para fillimit të punimeve në Veri të Mitrovicës për realizimin e projektit për revitalizimin e Urës së Ibrit.
“Ne jemi marrë vesh që murin ekzistues ta rrënojmë, si dhe ta ndërtojmë një strukturë me dizajn të ri, për të cilën jemi marrë vesh me gjithë aktorët e përfshirë në dialog. Unë do ta shpjegojë se si do të duket kjo strukturë e re. Do të thotë nuk do jetë mur, por do jenë disa si shtylla të vendosura në zonën e këmbësoreve, të cilat mund të largohen në rastet emergjente që lidhet me zjarrfikësit apo raste të tjera që llogariten si emergjente dhe mund të hyhet në zonën e këmbësorëve”, tha Rakiç për RTV Dukagjinin.
Zona ku do të vendosen shtyllat do të zërë një hapësirë prej 9 metrash, pjesa tjetër ndërkaq, do të jetë e rrethuar nga vazo betoni, që në to do të mbillen gjelbërim, dhe do të zgjaten deri te përfundimi i rrethit që lidhet me rrugën, e cila çon për në Suhadoll.
Në to, me pamje nga sheshi, do të vedosen stola të punuara prej druri, ndërsa struktura me dizajn të ri do të zhvendoset dy metra larg vendit ku ishte ndërtuar muri ilegal.
Nga ana tjetër, nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Faruk Mujka, mendon se plani i ri për sheshin në pjesën veriore duhet të hidhet në diskutim publik.
Sipas tij, projekti është vetëm propozim i Kryetari të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç, por nuk është në harmoni me Zyrën e BE-së.
Muri në Veri të Mitrovicës, i ngritur fundvitin e shkuar, por që është rrëzuar dje, është një nga çështjet që ka ngjalluar tensione mes Kosovës dhe Serbisë, në muajt e fundit, të cilat Brukseli është munduar t’i ulë me takime në nivelin më të lartë politik. (E.K/SHUPLAKA)