Biznesi i spitaleve private ka vijuar të shënojë rritje edhe në vitin 2016, ndonëse me ritme më të ngadalësuara. Pjesa më e madhe e tyre janë ende në fazë humbjeje. Shpenzimet për frymë në spitalet private në Shqipëri ishin rreth 22 euro në vit…
Biznesi i spitaleve private në Shqipëri ka vijuar rritjen edhe gjatë vitit 2016, ndonëse me ritme të ngadalësuara, teksa shumë shqiptarë duket se kanë preferuar alternativën e kurimit privat, përballë shërbimeve të dobëta, apo të munguara që ofron sot sistemi shëndetësor shtetëror.
Sipas të dhënave nga bilancet përkatëse, 7 spitalet dhe klinikat kryesore private në vend, Spitali Amerikan, Hygeia Hospital – Tirana, Salus, Spitali Gjerman (Cardio & Diagnostic Center Hamburg / TIR), Klinika Gjermane e Syrit, Spitali Europian, Spitali Privat i Zemrës, kanë qarkulluar në total rreth 8.4 miliardë lekë, apo rreth 62 milionë euro, me një rritje prej 16% në raport me 2015-n. Rritja e të ardhurave të spitaleve private është ngadalësuar në raport me vitin e mëparshëm, kur ishte 21%.
Ndonëse një pjesë e këtyre parave janë rimbursuar nga shteti (p.sh., hemodializa), përqindja më e madhe ka ardhur nga xhepat e shqiptarëve të pakënaqur me sistemin shtetëror shëndetësor, edhe pse paguajnë sigurime e duhet të marrin shërbimin falas.
Vetëm në Spitalin Amerikan, individët kanë paguar për t’u kuruar në vitin 2016 rreth 3.1 miliardë lekë, apo rreth 23 milionë euro, sipas të dhënave nga bilanci i vetë spitalit.
Shuma e shpenzuar në spitalet private është gati sa një e treta e buxhetit total të shëndetësisë. Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i shtetit ka shpenzuar në vitin 2016 (me paratë e taksapaguesve) rreth 31 miliardë lekë për planifikim, menaxhim, administrim, shërbimet e kujdesit parësor dhe pagat e personelit.
E panjohur mbetet shuma që shqiptarët shpenzojnë për t’u kuruar jashtë vendit, ku destinacionet kryesore mbeten Turqia, Greqia, Italia etj.
Biznesi i spitaleve private është zhvilluar ndjeshëm pesë vitet e fundit dhe zgjerimi i tyre vijon. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre vijojnë të jenë me humbje, edhe pse ka kaluar cikli trevjeçar, kur përgjithësisht sipërmarrje të tilla fillojnë e japin fryte.
Sipas një studimi të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (bazuar në analizat që ajo ka bërë për kreditë e dhëna për spitalet private në vende të ndryshme të botës), investimet në spitale, me 100 deri në 200 shtretër kanë në përgjithësi një periudhë ku shpenzimet barazohen me të ardhurat (break even point) prej rreth tre vitesh. Raporti thekson se optimizmi i tepërt nga investitori apo huamarrësi është i zakonshëm në këto lloj investimesh (numri i pacientëve, të ardhurat, përfitueshmëria).
SPITALI AMERIKAN, ENDE ME HUMBJE, QË VIJNË NGA FILIALI I KOSOVËS
Spitali më i madh privat në vend është American Hospital, me një xhiro prej gati 4.6 miliardë lekësh në 2016, sipas të dhënave të raportuara në bilanc, me një rritje prej 19% me bazë vjetore (të dhënat përfshijnë dhe Kosovën).
Të ardhurat nga hemodializa, sipas bilancit, ishin rreth 790 milionë lekë dhe përbënin 17% të të ardhurave gjithsej. Pjesën kryesore e zënë ndërhyrjet kirurgjikale, që sollën 1.4 miliardë lekë të të ardhurave, ose 30% të totalit.
Sipas burimit të të ardhurave, individët kanë paguar në Spitalin Amerikan 3.1 miliardë lekë, institucionet qeveritare 1.14 miliardë lekë dhe kompanitë private 320.4 milionë lekë.
Spitali vijoi të raportojë humbje prej 48 milionë lekësh, ndonëse ato pothuajse janë përgjysmuar në raport me vitin e mëparshëm. Sipas shpjegimeve në bilanc, humbja e akumuluar e Grupit vjen kryesisht si rezultat i humbjeve të akumuluara të viteve të kaluara si dhe investimeve në njësitë e reja dhe shpenzimeve të lidhura me to. Aktivitetet e Grupit në Shqipëri janë fitimprurëse dhe gjenerojnë flukse pozitive të parasë. Humbja e Grupit vjen si rezultat i aktivitetit në Kosovë dhe në veçanti, nga investimet në spitalin e ri në Prishtinë, i cili ka filluar aktivitetin në vitin 2015. (Grupi ushtron veprimtarinë nga një Zyrë Qendrore në Tiranë me tre spitale operative në Tiranë dhe një në Prishtinë, një Laborator Qendror dhe Qendra mjekësore në Fier dhe Durrës.)
Gjatë vitit 2015, Grupi ka marrë pjesë me 15% të aksioneve të kapitalit të zakonshëm në Dia-Vita sh.p.k. e cila ka fituar Koncesionin e Dializës në 2015, për të mbështetur këtë shërbim në pesë qendra të dializës. Kapitali fillestar i regjistruar i Dia-Vita sh.p.k. është 1 milion Lek dhe 15% e kontributit kapital të Grupit është kontribut në ekspertizë profesionale dhe veprimtari. Grupi pret të marrë dividendë në të ardhmen nga Dia-Vita, në proporcion me pjesëmarrjen e tij në pronësi, thuhet në bilanc.
HYGEIA, DYSHIME PËR AFTËSINË E VIJIMIT TË AKTIVITETIT
I dyti më i madh në vend është Hygeia, me qarkullim vjetor prej 2.7 miliardë lekësh dhe zgjerim 11%. Spitali vijon të jetë me humbje, që gjithsesi u ulën me 44% në 376 milionë lekë. Megjithatë, audituesi Grant Thornton tërheq vëmendjen se humbjet e larta dhe fakti që detyrimet afatshkurtra tejkalojnë aktivet afatshkurtra me 3.5 miliardë lekë tregojnë se “një pasiguri materiale ekziston, e cila mund të shkaktojë dyshim të rëndësishëm në aftësinë e Shoqërisë për të vazhduar në vijimësi”. Spitali ka dy kredi me një vlerë totale prej 20 milionë eurosh me BERZH dhe Bankën e Detit të Zi (nga 10 mln euro secila), të cilat i ka ristrukturuar dhe ka filluar t’i paguajë rregullisht në 2016-n.
Edhe vetë kompania, në analizën e bilancit, pranon gjendjen e vështirë të saj. “Pamundësia e shoqërisë në përmbushjen e kushteve të marrëveshjes së huasë dhe nevojave financiare, humbjet e saj të përsëritura nga operacionet, si dhe pozita negative e kapitalit punues mund të hedhin dyshime në lidhje me aftësinë e shoqërisë për të vazhduar në vijimësi.
Aftësia e shoqërisë për të përmbushur detyrimet dhe për të vazhduar në vijimësi varet nga fondet e marra nga shoqëria mëmë. Shoqëria mëmë është angazhuar të vazhdojë të sigurojë mbështetje financiare për shoqërinë për një periudhë prej së paku 12 muaj nga data e letrës mbështetëse. Drejtimi beson se po merr të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e biznesit të shoqërisë në rrethanat e tanishme”, thuhet në shënimet e bilancit.
TË TJERËT
Salus, spitali i tretë më i madh privat në vend, pas një rritjeje të shpejtë, është ngadalësuar në 2016-n. Të ardhurat u rritën me vetëm 3.5% në 544 milionë lekë. Edhe ky spital ka vijuar të rezultojë me humbje, ndonëse ajo është më shumë se përgjysmuar në 39 milionë lekë.
Spitali Gjerman ka rritur të ardhurat me 36% në 295 milionë lekë. Ai është nga të paktët me fitim, që zbriti në 25 milionë lekë në 2016-n, nga 87 milionë lekë një vit më parë.
Spitali Europian dhe Spitali Privat i Zemrës kanë shënuar rritje të fortë të të ardhurave me përkatësisht me 59 dhe 44%, ndonëse nisur nga një bazë e ulët. Spitali Europian vijon me humbje të larta, që janë më të larta se të ardhurat./Revista Monitor