Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka kryer inspektime dhe ri-inspektime në çerdhe, kopshte si dhe në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin për përmbushjen e standardeve higjieno-sanitare për të garantuar mbarëvajtjen e duhur të vitit të ri arsimor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka inspektuar shkollën 9-vjeçare “Qazim Turdiu” në Tiranë për parë nga afër kontrollet e inspektorëve shëndetësor për respektimin e kushteve higjieno-sanitare në institucionet arsimore. “Vijojmë me inspektimet për të kontrolluar që plotësojnë kushtet higjieno-sanitare dhe që gjithçka është në rregull”, u shpreh ministrja duke bërë me dije se nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor janë kryer 1954 inspektime për plotësimin e kushteve higjieno-sanitare në shkolla.
Fokus i inspektimeve nga ISSH është edhe pajisja me vërtetimin vaksinor të fëmijëve në sistemin parashkollor dhe ata të cilët hyjnë për herë të parë në shkollë.
Koçiu tha se “për fëmijët tashmë është mundësuar të pajisen me kartelën digjitale të vaksinimit, kjo shkon drejtpërdrejtë në llogarinë e-Albania të prindit”.
Ministrja e Shëndetësisë u ndal edhe në kabinetin dentar të kësaj shkolle ku aplikohet programi kombëtar “Shëndeti në shkolla” për depistimin falas dentar dhe të shikimit për fëmijët e grupmoshës 6 – 14 vjeç.
Koçiu foli edhe për përfshirjen për herë të parë në këtë vit të ri arsimor të programit për depistimin e skoliozës. “Ne do të përfshijmë edhe një program të ri për depistimin e skoliozës ku profesorët e edukimit fizik do të kenë rol parësor së bashku me këshillat e mjekëve, për të identifikuar hershëm problematikat me skoliozën. Mjekët këshillojnë që nga mosha 6-14 vjeç të bëhet diagnostikimi i hershëm”, nënvizoi ajo.
Edhe Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar në web-in zyrtar të gjitha rekomandimet dhe informacionet e duhura për promovimin i ushqyerjes së shëndetshme të fëmijëve.