Sot është Dita Ndërkombëtare e Muzeve.
Dita Ndërkombëtare e Muzeve u përcaktua nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (ICOM) në vitin 1977 dhe u përqafua menjëherë nga të gjitha muzetë në mbarë botën. Kjo ditë përbën një moment të një rëndësie të veçantë për komunitetin ndërkombëtar të muzeve.
E organizuar çdo vit më 18 maj, ngjarjet dhe aktivitetet e planifikuara për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve mund të zgjasin një ditë, një fundjavë ose një javë të tërë. Gjithnjë e më shumë muze bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme.
Objektivi i Ditës Ndërkombëtare të Muzeve është të rrisë ndërgjegjësimin për faktin se muzetë janë një mjet i rëndësishëm i shkëmbimit kulturor, pasurimit të kulturave dhe zhvillimit të mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe paqes mes popujve. Çdo vit, ICOM përcakton temën për “Ditën Ndërkombëtare të Muzeve”.
Tema e këtij viti, “Muzetë për edukim dhe kërkim”, synon të theksojë rëndësinë e muzeve si institucione edukative që nxisin të mësuarin dhe mirëkuptimin kulturor.
Me rastin e kësaj ngjarjeje, ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një listë institucioneve ku do të zhvillohen aktivitete ditën e sotme.
“Nata e Muzeve”, titullohet mbrëmja e sotme, ku do të ofrohet për publikun ngjyra dhe muzikë së bashku me Universitetin e Arteve Tiranë dhe me përkrahjen e bashkive Shkodër, Durrës, Krujë, Korçë, Fier dhe Berat.
Institucionet e angazhuara këtë mbrëmje do të jenë: Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë; Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Korçë; Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri”, Berat; Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, Shkodër; Kullën Veneciane, Durrës; Muzeun Arkeologjik Apoloni; Muzeun Kombëtar të Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë.
Ndryshe nga ditët e tjera të vitit, sot muzetë do të jenë të hapur në pritje të vizitorëve deri në orën 22:00 dhe hyrja do të jetë falas.