Ai është padyshim një nga talentet më premtues shqiptarë dhe mundësia i është dhënë për të treguar veten te skuadra e Atletikos së Madridit. Dhe në fakt nuk ka zhgënjyer Keidi Bare në ndeshjen e debutimit si titullar.
Kapiteni i Kombëtares U-21 shënoi ndaj Liverpulit në finalen e turneut “Audi Cup”, që u luajt në një stadium magjik si “Alianz Arena”.
Futbollisti 19-vjeçar tregoi vlerat e tij në të parën herë që Simeone i besoi që nga sekonda e parë e lojës dhe për djaloshin nga Fieri u shndërrua në një mbrëmje magjike.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, megjithëse kanë kaluar disa orë nga ndeshja, emocionet i ndien ende të freskëta. I qetë në bisedë, por fjalëpakë në të shprehur, pavarë- sisht se ka shënuar përballë Liverpulit një gol që vlen sa një trofe.
“Realisht, nuk di ta them atë ndjesi. Sigurisht që emocionet ishin shumë të mëdha, saqë nuk mund t’i përshkruaj me fjalë. Ishte lumturi shumë e madhe për mua.
Mbase ai shpërthim që kam bërë duke vrapuar, është një lloj treguesi i ndjesisë së brendshme në ato çaste”, tregon ndër të tjera mesfushori që ka bindur këdo me paraqitjen e tij në pjesën e parë në ndeshjen Atletiko Madrid-Liverpul.
Keidi, keni luajtur për herë të parë si titullar me Atletikon.Çfarë emocionesh përjetuat?
Çdo lojtar ka emocione para fillimit të një ndeshjeje e as unë nuk bëj përjashtim në këtë pjesë. Megjithatë, nga dëshira që kam për të bërë më të mirën në fushë, mundohem t’i harroj dhe të fokusohem te fusha, detyrat dhe tek ajo që duhet të bëj.
Shënuat gol kundër një ekipi si Liverpuli. Si u ndiet në ato momente kur po festonit?
Realisht, nuk di ta them atë ndjesi. Sigurisht që emocionet ishin shumë të mëdha, saqë nuk mund t’i përshkruaj me fjalë. Ishte lumturi shumë e madhe për mua.
Mbase ai shpërthim që kam bërë duke vrapuar është një lloj treguesi i ndjesisë së brendshme në ato çaste. Nuk dija se çfarë të bëja në ato momente. Mbase për pak sekonda kur nisi loja, s’dija se ku isha dhe ku ndodhesha. U deshën disa momente që të rikthehesha me këmbë në tokë (qesh).
Çfarë ju tha trajneri Simeone?
Të gjithë më uruan. Të gjithë shokët e skuadrës më cilësonin edhe si goleador. Mes tyre edhe Simeone më përgëzoi. Trajnerit Simeone i jam mirënjohës për mundësinë që më ka dhënë. E di shumë mirë që më duhet të vazhdoj që të punoj, qoftë edhe për Atletiko Madrid B dhe të jem gati në çdo moment për ekipin e parë kur trajneri të ketë nevojë për mua.
“Alianz Arena” është stadium i madh, por ju shënuat aty. A keni ëndërruar ndonjëherë të jeni pjesë e tij me skuadrën e Bajernit?
Tani për tani nuk mendoj për plane afatgjata sepse ndihem mirë tek Atletiko. Unë shpresoj vetëm që të jap maksimumin tim kudo që jam, sadopak minuta që të kem shansin për të luajtur.
Çfarë atmosfere ishte në atë stadium?
Ishte një kompeticion i rëndësishëm dhe mbi të gjitha një finale. U krijua një atmosferë e mrekullueshme.
Kush ishte lojtari më i vështirë nga Liverpuli për t’u dribluar ose për t’u markuar?
Bëhet fjalë për lojtarë që luajnë gjithmonë në nivelet më të larta të futbollit dhe nuk ka ndonjëherë lehtësi në driblim. Për t’u markuar ishte Mane sepse është një lojtar shumë i shpejtë.
Me kë e ndërruat fanellën në fund, meqenëse përballë kishit Liverpulin?
Jo, nuk e ndërrova me askënd sepse ishte goli im i parë me fanellën e Atletikos dhe dua ta kem kujtim. Besoj se do ta mbaj gjatë.
Po familja si reagoi?
Ata më ndjekin në çdo hap gjatë karrierës sime dhe ishin njerëzit më të lumtur në botë për mua. Ishin gëzuar shumë. U kujtova disa momente pasi kishte mbaruar çdo gjë që duhet të flisja me ta. Ata janë një nga arsyet që unë ndihem i fuqishëm për të dhënë më të mirën kur jam në fushë sepse më mbështesin në çdo gjë që unë bëj.
Cili ishte urimi më i veçantë që morët?
Urimi më i veçantë ishte nga babai im. Ai më bëri që të ndihem shumë mirë në ato momente. Kjo sepse ai ka bërë të pamundurën për mua. Gjithashtu edhe mami dhe motra.
Çfarë ju tha babai?
Po ju them fjalët e tij: “Çdo gjë e ke arritur me sakrificë, mund dhe përkushtim. Jeta të jep mundësinë dhe ti i realizon. Unë jam krenar për ty në çdo hap që hedh”.
A jua shton shanset ky gol që të qëndroni tek Atletiko këtë sezon?
Nuk besoj se është goli që vendos apo që do të vendoste nëse nuk do të kisha shënuar. Unë tek Atletiko jam prej shumë vitesh. Gjithsesi, të ardhmes nuk i dihet.
A keni biseduar me trajnerin Simeone për të ardhmen?
E ardhmja ime është tek Atletiko. E përsëris që jam i gatshëm të jap kontributin tim edhe tek Atletiko B për të pritur shansin kur të më thërrasë trajneri tek ekipi i parë.
A ju ka uruar ndonjë nga Kombëtarja, mbase trajneri i ri, Panuçi?
Nga Kombëtarja nuk më ka uruar asnjë për momentin, përveç shokëve të mi. Në veçanti shoku im i ngushtë, Rei Manaj.
Goli i parë është ai që kujtohet gjatë. Kujt ia dedikuat?
Në atë moment, të jem i sinqertë, nuk mendova asnjë. Isha shumë i emocionuar. Më pas, kur u riktheva në realitet, ua dedikova personave të familjes sime. Ata e meritojnë për mbështetjen që më japin.