Personat që përfitojnë pagesën për aftësinë e kufizuar nuk do të bashkëpaguajnë për të përfituar shërbim shëndetësor në qendrat shëndetësore, spitale apo ilaçet nga lista e barnave me rimbursim. Gjithçka përcaktohet në një Vendim të Këshillit të Ministrave, i cili ka shtuar këta persona te kategoritë e individëve të siguruar që përjashtohen nga pagesat e drejtpërdrejta të shërbimeve shëndetësore, raporton ”GSH”.
Sipas VKM-së së miratuar në datën 28 dhjetor, kjo kategori “përjashtohet nga pagesat e drejtpërdrejta për shërbimet shëndetësore, që janë pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, të paketave të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit spitalor që mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor”.
Referuar ligjit “Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, pagesa e drejtpërdrejtë është pagesa direkte e një pjese të çmimit të barnave në përpjesëtim me shumën e paguar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku përfshihet një pjesë e çmimit të barnave në rrjetin e hapur farmaceutik apo shpenzimet e shërbimit nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes për gjithë shtetasit në Shqipëri që kanë derdhur kontribute.
Kjo do të thotë se tashmë ata nuk do të jenë të detyruar të paguajnë më për shërbime që bashkëfinancohen nga FSDKSH. Përshembull për të bërë rezonancën ata paguanin deri më tani 10 % të tarifës, ndërsa 90% e paguante Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Me këtë ndryshim kjo kategori nuk do të paguajë më as 10 për qind, por do e marrë 100% falas këtë shërbim. Po ashtu, atyre iu hiqet edhe bashkëpagesa për përfitimin e ilaçeve nga lista e barnave me rimbursim, çka do të thotë se tashmë gjithçka do të paguhet nga FSDKSH.
Deri më tani,të përjashtuar nga pagesat e drejtpërdrejta kanë qenë: Fëmijët 0-18 vjeç; invalidët e plotë, përfshirë edhe invalidët paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbrit e plotë; invalidët e luftës; veteranët; personat që gëzojnë statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë si dhe jetimët. Praktikisht, nga ky vendim i qeverisë përfitojnë invalidët e pjesshëm.
Sistemi i referimit
Ndërkaq, për të përfituar nga përjashtimi i pagesave në sistemin shëndetësor, çdo person është i detyruar të zbatojë sistemin e referimit të pacientit. Kjo do të thotë se, fillimisht ai duhet të paraqitet te mjeku i familjes apo mjeku i përgjithshëm.
Në momentin e paraqitjes, personi i pasiguruar duhet të jetë i pajisur me kartën e identitetit, ndërsa personi i siguruar me kartën e shëndetit dhe kartën e identitetit. Nëse ky mjek gjykon që diagnostikimi apo trajtimi i rastit kërkon konsultë më të specializuar, atëherë e rekomandon për te specialisti përkatës, pranë poliklinikës së specialiteteve në juridiksionin e së cilës ndodhet Qendra Shëndetësore.
Ndërkohë që, mjeku specialist e trajton ambulatorisht pacientin, e shtron në spitalin bashkiak ose e referon atë për konsultë më të specializuar në poliklinikën e specialiteteve të rajonit përkatës, duke e pajisur me rekomandim. Përjashtim nga rregulli i mësipërm bëhet për Bashkitë Kamëz, Vorë dhe Tiranë.
Në këto bashki mjeku specialist e referon pacientin sipas rastit në shërbimet e konsultave përkatëse pranë Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë. Ndërkaq, në bashkitë e tjera, pacienti që trajtohet në një spital bashkiak dhe ka nevojë për diagnostikime, ekzaminime dhe trajtime që nuk sigurohen nga ky spital, dërgohet me epikrizë shoqëruese në spitalin rajonal pas konsultës së firmosur nga mjeku kurues dhe shefi i shërbimit spitalor.
Sipas rastit dhe nevojës për shërbim shëndetësor, referimi i pacientit mund të vijojë pranë spitaleve universitare. Nga ky rregull përjashtohen urgjencat mjekësore ekstreme ose sipas rekomandimit të Shërbimit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, kur pacienti shkon ose transportohet direkt në spital. Të gjitha shërbimet e urgjencës mjekësore ofrohen pa pagesë.
PËRJASHTOHEN NGA PAGESAT E DREJTPËRDREJTA PËR SHËRBIMET SHËNDETËSORE:
a) Fëmijët 0-18 vjeç;
b) Invalidët e plotë, përfshirë edhe invalidët
paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbrit e plotë;
c) Invalidët e luftës;
ç) Veteranët;
d) Personat që gëzojnë statusin e ish-të dënuarve
dhe të përndjekurve politikë;
dh) Jetimët;
e) Personat që përfitojnë pagesën për aftësinë e
kufizuar. (E.K/SHUPLAKA)