Është arrestuar 22-vjeçari Fatjon Keta, i cili dyshohet se ka vrarë bashkëmoshatarin e tij, Lindi Pasha paraditen e sotme në qendër të Bulqziës.
Dyshimet janë se Keta ka pasur probleme të shëndetit mendor, pasi mëngjesin e sotëm ai është konfliktuar dhe me të motrën dhe me nënën e tij.
Pas sherrit ai ka dalë nga banesa me thikë, dhe ka qëlluar mbi Pashajn. Mësohet se Keta e ka qëlluar disa herë me thikë në zemër të riun, çka shkaktoi dhe vdekjen e menjëhershme të tij.
Sipas gazetarit Enver Doçi dy të rinjtë kanë qenë miq mes tyre, dhe kalonin kohë të gjatë mes tyre gjatë ditës. Ka dyshime se Fatjon Keta ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, dhe ka qenë i përfshirë dhe në disa grabitje të banesave.
I riu nuk ka bërë aspak rezistencë në momentin që është arrestuar nga ana e policisë, në një prej lagjeve të Bulqizës.
Policia mund të marrë në mbrojtje banesën e autorit për shkak se ka indicie se mund të ketë një hakmarrje të mundshme mes familjeve. Banesa e autorit dhe e viktimës gjenden pak metra larg njëra-tjetrës dhe kjo bën që situata të jetë edhe më problematike.
Po punohet për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes, si dhe në pyetjen e dëshmitarëve, që kanë qenë në qendër të Bulqizës në momentin kur ka ndodhur vrasja.
(E.K/Faxweb.al)