Publikohet foto e 35-vjeçarit nga Mati, i cili një ditë më parë humbi jetën në spital për shkak të plagëve të marra nga sulmi në Bathore. Aleksandër Barlika, prej disa kohësh kishte hapur një lokal në zonën e Kamzës, i martuar dhe me tre fëmijë.
Sëbashku me vëllain e vet Altinin, Aleksandri shkoi në Bathore për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes nipit të tij 16-vjeçar dhe një bashkëmoshatari të tij. Por kur shkoi atje ai u sulmua me armë zjarri.
Policia bën me dije se Barlika është konfliktuar me babain e bashkëmoshatarit të nipit të tyre, por shkaqet e konfliktit mes dy të rinjve ende nuk dihen.
“Shtetasit K. P. dhe L. C., janë konfliktuar midis tyre për motive të dobëta. Në këtë konflikt janë përfshirë edhe shtetasit Aleksander Barlika, Altin Barlika (dajat e shtetasit K. P.) dhe Rasim C. (babai i L. C.), të cilët janë konfliktuar fillimisht me mjete të forta me njëri-tjetrin.
Konflikt i cili më pas është përshkallzuar në përdorim të armëve të zjarrit, e më saktësisht, shtetasit Aleksander Barlika (Bajrami) dhe Altin Barlika (vëllezër ndërmjet tyre) të shoqëruar dhe nga nipi i tyre K. P., kanë nxjerrë një armë tip pistolete dhe kanë tentuar të qëllojnë ndaj shtetasve L. C., D. C. dhe Rasim C., ku në këtë kohë duke përfituar nga gjendja e rremujës së krijuar, shtetasi L. C., ka marrë një armë gjahu, tip çifte me të cilën ka qëlluar shtetasin Aleksander Barlika i cili ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra dhe demtime të lehta trupore shtetasi Altin Barlika.
Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: – Një armë zjarri tip pistoletë TT, me një krëhër dhe 8 fishekë – Nje armë gjahu e tipit çifte.
Materialet proceduriale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së parë Tiranë për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë në bashkëpunim”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga Nenet 76, 76-22-25, 89, 278-1 dhe 300 të Kodit Penal.”, tregohet në njoftimin e policisë. (D.D/Shuplaka)