Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kavajë ku një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një konflikti për një grua.
Burime bëjnë me dije se personi i plagosur është efektivi i policisë Bledar Toçi, i cili është dërguar rreth orës 01:00 të mëngjesit në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën.
Mësohet se Toçi dhe viktima, Dritan Haxholli kanë shkuar në të njëjtën kohë në shtëpinë e të dashurës së tyre, e cila kishte marrëdhënie me të dy, dhe kjo ka bërë që ata të nxjerrin armët dhe të qëllojnë mbi njëri-tjetrin.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 2 të qytetit të Kavajës, dhe viktima dyshohet që të jetë banor i zonës. Mësohet se gjatë konfliktit janë përdorur një armë pistoletë dhe një kallashnikov.
Njoftimi i policisë për vrasjen në Kavajë:
Rreth orës 00.40, në Lagjen nr. 2 Kavajë, shtetasi D. H., banues në Kavajë, ka hyrë në banesën e shtetases M. Q. Në banesë ndodhej dhe shtetasi B. T, banues në Kavajë, punonjës i Policisë së Burgjeve.
Shtetasi D.H. është konfliktuar me shtetasin B. T. dhe si pasojë shtetasi D.H ka qëlluar me armë në drejtim të shtetasit B.T duke e plagosur atë. Shtetasi B.T me armën e shërbimit ka qëlluar në drejtim të shtetasit D.H i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Shtetasi B.T, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.
(E.K/Faxweb.al)