Policia ka arritur të identifikojë personin që qëlloi me armë zjarri mbrëmjen e djeshme 22 vjeçarin nga Rrila e Lezhës, Aleks Laska, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij. Ata janë shtetasit: Xhuljano dhe Leandro Frroku, si dhe Agustin Shahini.
Burime nga policia e Lezhes thanë se i plagosuri në dëshminë e tij ka bërë të ditur se gjithçka nisi brenda një bilardoje që ndodhet rreth 100 metra larg komisariatit dhe sipas tij shkak është bërë pikërisht debati gjatë lojes.
Pas debateve, 22 vjeçari Aleks Laska është konfliktuar me 3 të rinjtë që e kanë dhunuar dhe kjo dhunë ka vijuar edhe jashtë ambienteve të bilardos. Ai ka thënë se nuk ka njohje me ta dhe se i ka parë vetëm si fytyra.
Pasi e kane dhunuar, njëri nga 3 të rinjte e ka qëlluar me armë zjarri në pjesen e kembes dhe më pas janë larguar. Pas ngjarjes, 22 vjeçari është dërguar menjëherë në spitalin e Lezhës për ndihmë mjekësore, ku ndodhet edhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia e gjeti atë duke marrë mjekim në spital, ndërsa nisi hetimet për ngjarjen. Blutë identifikuan, pas kqyrjes së kamerave të sigurise dhe dëshmive të të plagosurit, autorin që qëlloi me armë zjarri dhe po punon për kapjen e tij dhe dy bashkëpunëtorëve.
Njoftimi i Policisë:
Lezhë/Dhunuan fizikisht dhe plagosën me armë zjarri, një shtetas, mbrëmjen e djeshme, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar.
Rreth orës 22:30 të datës 08.05.2023, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë, ka shkuar për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi A. L., 22 vjeç, banues në Rrilë.
Menjëherë pas njoftimit, grupi hetimor ka filluar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: L. F., 29 vjeç, Xh. F., 26 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të tre banues në Lezhë.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në ambientet e jashtme të një bilardoje, në Lezhë, kanë goditur me mjete të forta shtetasin A. L., si dhe e kanë plagosur atë me armë zjarri, në këmbë.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.