Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj duket se ka dalë pak bllof sot me promovimin e veprës urbane të rradhës në kryeqytet. Kështu ai ka njoftuar përfundimin e Sheshit Adem Jashari, në hyrjen e bllokut të ambasadave nga ana e rrugës së Durrësit.
Nëse para disa javësh makinat rrotulloheshin rreth tij tashmë aty do të lejohet vetëm kalimi i tyre.
Tani kjo hapësirë publike është rikonstruktuar, si pjesë e hyrjes së një hoteli që është në pronësi të ish -deputetit Mark Frroku që gjendet në burg dhe vëllait të tij të dënuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.
Mesa duket Veliaj e ka parë të arsyeshme që të ndryshojë qarkullimin e makinave, vetëm e vetëm që hoteli tashmë të mos jetë i lidhur direkt me rrugën ku kalojnë makinat.
Asaj i është hequr një degëzim rruge që kalonte para hotelit, që dikur ishte mollë sherri mes Mark Frrokut dhe deputetit Tom Doshi. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka postuar disa foto të sheshit të ri, që i shoqëron me një falenderim për “kolegët”.
Veliaj nuk thotë se kush i dha fondet për këtë ndërtim dhe kush ishin “kolegët” që e ndërtuan këtë shesh, që më shumë se për qytetarët, duket se është ndërtuar për të qenë në funksion të hotelit.
(E.K/SHUPLAKA)