Shtetet e Qunitit kanë reaguar në lidhje me tentativën për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale.
Përmes një deklarate të përbashkët, ato kanë bërë thirrje për krerët e institucioneve, udhëheqësit e partive dhe deputetët, që të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar Gjykatën Speciale.
Në deklaratë ata kujtojnë që Kosova falë mbështetjes së tyre ka shënuar përparim dhe se miratimi i kësaj gjykate dëshmonte përkushtimin e Kosovës për drejtësi. Ata kanë kujtuar edhe mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës gjatë viteve dhe nëse vazhdohet me tentative të tilla do të ketë pasoja negative.
DEKLARATA E PLOTË:
Jemi thellësisht të shqetësuar me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara, si dhe vendimin e Presidentit për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në teritorin e saj.
Vendet e QUINT-it kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira. Që nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve tanë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në zhvillimin tuaj, ne kemi punuar shumë për të mbështetur vendin tuaj. Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne do të këmbëngulim gjithmonë që Kosova të mbështesë drejtësinë.
Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftojmë secilin kryesues të institucioneve, udhëheqës të partive apo deputet, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. Në të njejtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë.
Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmoj përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe të vazhdojë të pranoj mbështetjen ndërkombëtare. Me ndihmën tonë, Kosova ka shënuar përparim në shtatë vitet e fundit për arsye të përkushtimit të saj për drejtësi ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit në vitin 2015 për të krijuar Dhomat e Specializuara ishte shenjë e qartë se Kosova refuzoi kulturën e mosndëshkimit.
Nuk kishte asnjë marrëveshje ndërmjet komunitetit ndëkombëtarë dhe Kosovës lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post