Bayern Munich e pranon se një marrëveshje me Leroy Sane, këtë verë, pavarësisht angazhimit personal të presidentit Uli Hoeness, duket mjaft e vështirë. Kjo, për shkak të kërkesave “të çmendura” financiare të Manchester City. Kampionët e Bundesligës e kanë bërë ndërkombëtarin e Gjermanisë objektiv kryesor në merkaton e kësaj vere.
Vetë 23-vjeçari duket i hapur për këtë lëvizje, sepse ka pasur pak mundësi aktivizimi me “qytetarët” në sezonin e fundit. Manchester City, megjithatë, nuk ka ndërmend të ndahet nga një lojtar tepër premtues dhe i ri.
Me këtë në mendje, kuptohet, Guardiola nuk do të pranojë bisedime me bavarezët, vetëm nëse vetë futbollisti gjerman e bën të qartë se nuk ka dëshirë të vijojë në Angli. Edhe në atë rast, “qytetarët” do të kërkonin rreth 100 milionë euro për yllin e kombëtares gjermane. Shifra të tilla e largojnë Bayernin, me Hoeness që thotë për “Kicker”: “Më duhet të jem pak skeptik, me të tilla shifra nuk ka gjasa që të funksionojë. Bëhet fjalë për shuma, që janë të çmendura”.
Hoeness kishte pranuar edhe më herët se “e tërë paketa është e vështirë”, me pagat e Sane, që duhet të merren parasysh. Bayern Munich mbetet në merkato për dy krahët e mesfushës, pas largimit të Arjen Robben dhe Franck Ribery.
Sane do të ndihmonte për ta mbushur boshllëkun e krijuar, por kushton shumë shtrenjtë. Bayern nuk duket gati për të bërë investime kaq të kushtueshme. Presidenti Hoeness e tha qartë këtë, para fitimit të Kupës së Gjermanie: “Ne jemi një klub futbolli me balance të qarta. Kemi arritur një kufi transferimesh prej 80 milionë euro për një lojtar dhe nuk mendoj se do ta tejkalojmë atë shifër në transferimet e ardhshme”.