Policia e Shtetit vazhdon të ndëshkojë qytetarët për mosrespektimin e masave anti-Covid, pas përkeqësimit të situatës pandemike në vend.
Në 24 orët e fundit, policia njofton se janë ndëshkuar në total 952 shtetas që nuk zbatuan masat, nga të cilët 850 për mosvendosjen e maskës.
45 shoferë e kanë pësuar për shkak se kanë lëvizuar pas orës 20:00 pa leje. Policia i ka pezulluar patentën dhe i ka bllokuar mjetet.
Është ndëshkuar gjithashtu me masë administrative 1.000.000 lekë, edhe administratori i një lokali që u konstatua duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.
Njoftimi i plote:
Policia e Shtetit
Ndëshkohen me masë administrative 952 shtetas që nuk zbatuan masat anticovid, gjatë 24 orëve të fundit.
Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 850 shtetas, për mosvendosjen e maskave mbrojtëse.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me masë administrative 101 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse, si dhe kanë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 45 drejtues mjetesh që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 20:00.
Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë.
Është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, administratori i një lokali që u konstatua duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.
Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
(E.H/Faxweb.al)