Më shumë 80 për qind e qyteteve të Shqipërisë kanë humbur masivisht popullsinë e tyre në dekadën e dytë të tranzicionit (2000-2010), duke e renditur vendin në tonë në tre vendet me humbjen më të lartë të popullsisë në Rajonin e ECA (Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja, Gjeorgjia, Kazakistani, Kosova, Kirgistani, Maqedonia, Moldavia, Malin e Zi, Rusia, Serbia, Taxhikistani, Turkmenistani, Ukraina dhe Uzbekistani).
Fenomeni që vijon te thellohet edhe gjatë 2011-2018, lajmëron një situatë stresuese sipas një raporti të posaçëm të Bankës Botërore për tranzicionin demografik në qytetet e Rajonit të ECA.
Rënia e mprehtë ose rritja e papritur e popullsisë mund të çoje në kolaps financimin e infrastrukturës lokale dhe ofrimin e shërbimeve komunale.
Nga ana tjetër sfidat në qytetet me rritje të shpejtë te popullsisë krijojnë deficit ne strehimin dhe plotësimin e nevojave infrastrukturore.
Qytetet e ECA-së po përjetojnë rënie të popullsisë në mënyrë të paprecedentë dhe në një shkallë të paparë lajmëron Banka Botërore. Midis 2000 – 2010 rreth 61 për qind e qyteteve në ECA shënuan rënie të popullsisë. Qytetet në rënie kanë humbur mesatarisht 11 për qind të popullsisë së tyre ndërmjet viteve 2000 dhe 2010. Nga vendi në vend ndryshimet janë të mëdha.
Për shembull, vende si Shqipëria, Moldavia, Rusia dhe Serbia kanë parë rritje në përqindjen e qyteteve që po pësojnë rënie. Bullgaria, Shqipëria dhe Rumania kanë më shumë se 80 për qind të qyteteve të tyre në rënie.
Para viteve 1990 popullsia në qytetet e vendeve lindore ishte e shtrirë sipas një planifikimi ekonomik. Per shembull në disa raste, qytetet u krijuan në zona të largëta per rritur dominancen gjeografike, si në rastin e Rusisë.
Në raste të tjera, rritja e qyteteve u ndikua kryesisht nga vendimet e imponuara nga qendra. Vendbanimet e vogla u rritën në mënyrë eksponenciale kur shteti u dha atyre statusin e veçantë të qytetit ose i bëri ato selinë e institucioneve të arsimit të lartë.
Migracioni gjithashtu luan një rol themelor në formësimin e tendencave demografike kombëtare dhe urbane ne ECA. Për disa dekada, Evropa Perëndimore ka tërhequr një numër të konsiderueshëm të migrantëve nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Për pasojë lindshmëria po bie dhe popullsia e këtyre vendeve është në rënie.
Një rënie në popullsi dhe densitetit të saj mund të përkthehet në sfida të shumta për ofrimin e shërbimeve, të cilat përfitojnë nga ekonomitë e shkallës dhe densitetit.
Përvojat e qyteteve në SHBA sugjerojnë se të parët që largohen nga qyteti janë ata që kanë më shumë burime ekonomike në dispozicion. Si e tillë, rënia e popullsisë lidhet me rritjen e shkallës së varfërisë. Në SHBA, shkalla e varfërisë në 10 qytetet më rënie të popullsisë është dy herë më e lartë se ajo kombëtare./Monitor