“Nisma #Thurje” ka publikuar rastin e një shitësi ambulant, i cili është i detyruar të shesë në rrugë për shkak të kushteve të vështira ekonomike, pavarësisht se është i vetëdijshëm se kjo gjë është e ndaluar me ligj dhe ai rrezikon të penalizohet.
Shitësi, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, tregon se nuk ka zgjedhur të shtrihet nëpër kazanë, e as të lypë rrugëve, por të shesë rroba të përdorura. “Më lini të mbijetoj”, thotë shitësi i cilli i kërkon shtetit ta lërë të bëjë këtë punë në mënyrë që të arrijë të mbajë familjen e tij.
Rrëfimi i plotë:
“Kam zgjedhur këtë mënyrë jetese pasi nuk dua as të shtrihem nëpër kazanë, as të shtrij dorën për të lypur.
Mendoj se kjo është më mirë, por sigurisht që do të mbetem përsëri një ambulant që gjen rrugën si shpëtimin e vetëm. Nuk kam lekë për një ambjent me qera dhe ndoshta nuk do të kem kurrë.
Nëse unë nuk dal këtu, tre fëmijët e mi mbesin pa bukë.
Jeta ka qënë shumë e vështirë për ne deri më sot. Na është dashur të përballemi me paragjykimet e njerëzve. Për këtë më vjen shumë keq pasi e kanë vuajtur edhe fëmijët, sidomos vajza që është më e madhja.
Sikur të mos mjaftonin vuajtjet e jetës, shteti nuk na llogarit në asgjë. Nuk marrim asnjë ndihmë, se punë jo e jo. Kam kërkuar, por më kanë refuzuar.
Rrobat e përdorura kanë mbajtur familjen time në këmbë. Shyqyr gjeta këtë mundësi them ndonjëherë, se kushedi ç’do të kisha bërë.
Njerëzit duhet të kuptojnë që fati nuk është në dorën tonë. Nuk kam zgjedhur të jem kështu, nuk kam zgjedhur të jetoj në këtë mënyrë. Do të doja shumë që fëmijët e mi të kishin më të mirat, se janë të mbarë e të urtë, por tani e kam pranuar se kjo do jetë jeta jonë edhe për disa kohë.
Nuk kanë arsye pse të shqetësohen nga unë që kam zënë një pjesë rrugice.
Dua vetëm të më lejojnë të mbijetoj…”