Klajda Gjosha ministrja e Integrimit ka deklaruar se nëse Rama që prej krijimit të qeverisë së re do të bëjë shkarkime në administratën publike për motive politike kjo do të ketë një kosto shumë të madhe për vendin.
Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ministrja Gjosha thekson se taksapaguesit europianë kanë dhënë miliona euro për Shqipërinë, për kualifikimin e punonjësve.
“Më duhet të përmend këtu edhe mbështetjen buxhetore të Bashkimit Europian me vlerë prej 32 milionë euro. Janë taksapaguesit europianë ata që kanë investuar për të gjithë këta punonjës që sot qeveria po i nxjerr të pavlerë”, shprehet Gjosha duke komentuar paralajmërimet e Ramës për shkarkimet në administratë.
INTERVISTA E PLOTË:
Kryeministri Rama ka paralajmëruar furtunë në administratë. Si i komentoni paralajmërimet e kryeministrit dhe argumentin se në administratë do të punësohen njerëz të kualifikuar?
Të them të drejtën ka një kontradiktë tek këto deklarata. Së pari sepse është ndërmarrë tashmë një reformë në administratën publike e cila përzgjedhjen e personave e bën nëpërmjet konkursit. Departamenti i Administratës Publike është institucioni i cili ka organizuar këto konkurse dhe nëse sot administrata shfaq problematika, rezulton se diçka nuk ka funksionuar. Nga ana tjetër reforma në administratën publike është një reformë që ka marrë nota mjaft pozitive edhe nga Brukseli, madje është vlerësuar si një prej reformave më të suksesshme në kuadër të procesit të integrimit. Kjo reformë është prioriteti numër një që Shqipëria duhet të plotësojë për çeljen e negociatave dhe më rezulton nga të dhënat e raportuara si Ministre e Integrimit se ka ecur mirë. Pra, kur flasim për një furtunë shkarkimesh duhet të diferencojmë përse është fjala. Sepse fillimisht duhet të biem të gjithë dakord që ose Brukseli na ka vlerësuar gabim, ose rekrutimet e Departamentit të Administratës publike janë bërë gabim, ose do të nisë ndonjë fshesë punonjësish vetëm se kanë bindje të ndryshme politike nga forca në pushtet. Nëse është kjo e fundit, i bie të minojmë të gjithë hapat që kemi ndërmarrë në kuadër të procesit të integrimit.
Çfarë kosto i krijohet shtetit nga largimi masiv i punonjësve? Si i rregullon ligji punësimet në administratë?
Nëse largimi i një punonjësi bëhet pa motiv dhe në shkelje të ligjit, kostot për shtetin janë kolosale. Të gjithë punonjësit e larguar me pa të drejtë kanë të gjithë hapësirën që u jep ligji për të fituar betejën ligjore, për t’u dëmshpërblyer apo edhe për t’u rikthyer në vendin e punës. Statusi i nëpunësit civil përcakton qartë gjithë procedurën e largimit të një punonjësi nga puna, ndaj mendoj se nuk do të jetë e lehtë që njerëz që vërtetë kanë merita dhe punojnë falë kualifikimit të tyre në administratë, të largohen. Reforma në administratën publike duhet të shtrihet edhe te punonjësit me kontratë, jo vetëm tek ata me status, por kjo nuk do të thotë që pa asnjë procedurë të largohen disa persona vetëm se kanë bindje të caktuara politike dhe të zëvendësohen me të tjerë që i përkasin një force tjetër.
Administrata është një nga 5 prioritetet kyçe për integrimin e vendit në BE. Sa e afektojnë procesin e integrimit të vendit, largimet masive nga puna?
Unë e përmenda dhe më sipër. Çdo largim nga puna, që bëhet për bindje politike, në shkelje të ligjit do të ishte një cenim i rëndë i reformës që është ndërmarrë. Do të ngrinte një pikëpyetje të madhe për vërtetësinë e kësaj reforme dhe asaj çka është trumbetuar me forcë në Bruksel dhe kudo se në Shqipëri, administrata publike nuk mund të ndryshojë sipas oreksit të njërës partie politike apo tjetrës. Nga ana tjetër çdo rekrutim mbi bazën e kritereve të mirëpërcaktuara do t’i shërbejë vetëm forcimit të saj, pasi sot Administrata Publike ka vërtetë nevojë të vijojë reformimin. Këtu bëhet fjalë për një nga prioritet kyçe të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Atij prioriteti që e bëri Shqipërinë jo vetëm të merrte statusin e vendit kandidat por edhe rekomandimin pozitiv të çeljes së negociatave. Ndoshta ata që e kishin këtë detyrë në 4 vite sot kanë zgjedhur ta ç’bëjnë këtë reformë madhore për vendin. Por ne nuk mund të heshtim para pengesës që mund të kemi për aspiratën tonë europiane.
A do të mundet PS-ja të reformojë administratën publike, siç e ka thënë kryeministri Rama? Ai ka thënë se reforma në administratë do të jetë e para që do të ndërmarrë dhe e ka plotësisht të mundur duke qenë se socialistët qeverisin vetëm.
Reforma në administratën publike është bërë prej kohësh, është në rrugë shumë të mirë. Mbetet për t’u parë se për çfarë reformimi e ka fjalën kryeministri i vendit. Besoj isha mjaft e qartë kur thashë se reforma në administratën tonë publike, tashmë me rregullimet ligjore që janë bërë, është një proces i strukturuar dhe nuk mund të bëhet as sipas dëshirës së dikujt, as nga bindjet partiake të dikujt tjetër. Në 4 vite qeverisje u fol kaq shumë për reformën në administratën publike, për arritjet e Departamentit të Administratës, ku u bënë me qindra trajnime për të gjithë ata që më shumë mund morën statusin e nëpunësit civil. Janë të panumërta projektet e BE-se për specializimin e administratës tonë. Më duhet të përmend këtu edhe mbështetjen buxhetore të Bashkimit Europian me vlerë prej 32 milionë euro. Janë taksapaguesit europianë ata që kanë investuar për të gjithë këta punonjës që sot qeveria po i nxjerr të pavlerë.
Gjatë vitit të parë të qeverisjes së kaluar Ministria përgjegjëse për administratën e drejtuar nga zonja Harito, hartoi disa rregulla dhe u tha se punësimet do të bëheshin në bazë të meritës, çka nënkupton se punësimet kanë qenë të politizuara. A ka kushtet Shqipëria të krijojë një administratë të depolitizuar?
Ministria e cila mban përgjegjësinë kryesore për rekrutimet në administratë ka qenë dhe është një Ministri e cila drejtohet nga Ministra të Partisë Socialiste. Prandaj nuk më takon të komentoj më gjatë për këtë çështje. Në lidhje me depolitizimin e administratës publike, unë shpresoj se Shqipëria do të mundet të krijojë një të tillë, pasi vetëm kështu do të mund të plotësojë disa standarde që e bëjnë një vend të denjë europian. Nëse ne aspirojmë të hapim negociatat dhe ndërkohë bëjmë hapa pas me një prej prioriteteve kryesore të procesit të integrimit, atëherë përgjegjësia do të jetë shumë e madhe për të gjithë ata që do të pengojnë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Në Tiranë LSI arriti të marrë 5 mandate deputetësh. Ju si kryesuese e listës jeni e kënaqur me rezultatin?
Më lejoni në radhë të parë të theksoj se Lëvizja Socialiste për Integrim ka shënuar një rritje të ndjeshme në Tiranë, por edhe në gjithë Shqipërinë. LSI konfirmoi duke u bërë pjesë e garës e vetme se nuk është më parti e vogël, por një parti që ruan të sigurt elektoratin e saj besnik dhe nga ana tjetër rritet më shumë. Krahasuar me 2013 rritja ka qenë e dukshme, përkthyer kjo edhe në numër mandatesh. Madje mund t’ju them se jemi ajo forcë politike që ka shënuar rritjen më të madhe në elektorat dhe për këtë flasin shifrat. Në kushtet e presionit në të cilat u zhvilluan zgjedhjet në Tiranë, ku nuk kanë munguar blerjet e votës, mendoj se rezultati i LSI ka qenë një rezultat, pozitiv. Sigurisht që do të ishin marrë më shumë vota, nëse qytetarët nuk do të ishin kërcënuar me largime nga puna apo forma të tjera të cilat patën ndikim gjatë procesit.
LSI ka paralajmëruar opozitë të fortë në parlament. Ku do të jetë fokusi i LSI-së në këto katër vitet e ardhshme në opozitë?
LSI ka qenë dhe mbetet zëri i qytetarëve. Për ne do të jetë më e lehtë të bëjmë opozitën e vërtetë në vend, pasi e kemi gjetur veten duke bërë opozitë duke qenë pjesë e maxhorancës. Të mos harrojmë se LSI ka kritikuar dhe ka qenë kundër një sërë reformash të cilat kanë patur kosto të drejtpërdrejtë tek qytetarët siç janë reforma në arsim apo koncesionet. Fokusi ynë do të jetë çdo problematikë që prek qytetarët, çdo reformë apo pseudoreformë që merret në emër të tyre, pa i pyetur ata dhe me rezultate në dëm të tyre. LSI do të vijojë me misionin e saj që është një dhe vetëm një: interesat e vendit mbi interesat partiake.