Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit të vendit Ilir Meta, ka reaguar ditën e sotme menjëherë pasi Parlamenti votoi me 105 vota pro shkarkimit të Presidentit Meta për shkelje të kushtetutës.
Blushi e quan vendim antikushtetues dhe qesharak të parlamentit monist, për të cilin thotë me ironi se do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit.
Më i fortë është shigjetimi për Kryeministrin Edi Rama, të cilin e quan Asnjë surprizë tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Blushi nuk kursen në statusin e tij as deputetët e opozitës së re, të cilët i etiketon si torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit, duke shtuar se të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruan edhe për këtë vit një palë pushime qyl.
Së fundmi, Blushi thekson se Presidenti i Republikës është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar.
Reagimi i plotë:
Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër!
Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit.
Të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl!
Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti!
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar.
Një ftesë e sinqertë edhe për kolegët gazetarë: Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore!
(E.H/Faxweb.al)