Sot nëpërmjet një komunikate për shtyp ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj bëri të ditur se ka kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Zef Hila pas ngjarjeve të një dite më parë në Bushat ku iu vu flaka një KZAZ-je, u dogjën materialet zgjedhore si dhe u lënduan 3 efektivë policie.
Në Shqipëri janë shënuar 2 precedentë ku Këshilli i Ministrave, më saktë Kryeministri ka shkarkuar një të zgjedhur me votë dhe në të dyja rastet është firma e ish-kryeministrit Berisha mbi shkarkimin e Abedin Oruçit, ish-kryetar i komunës Kolsh.
Oruçi është shkarkuar dy herë nga Kryeministri Berisha si kryetar komune, por dy herë është rikthyer nga gjykata.
Abedin Oruçi është ndaluar edhe në Prizren në korrik 2008 me akuzë për përfshirje në trafiqe por edhe atje është liruar nga gjykata e qytetit gjë që solli edhe shkarkimin e tij te menjëhershëm ne Shqipëri. Për këtë rast Kryeministri ndërmori shkarkim të menjëhershëm, por pak kohë më vonë Gjykata e Kushtetuese e ktheu në punë.
Në janar të 2010 Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) e kallëzoi penalisht kryetarin e Komunës Kolsh, Qarku Kukës, Abedin Oruçi, për fshehje të pasurisë në shifrat mbi 30 milionë lekë të reja.
Sërish është shkarkuar nga detyra me një vendim të kryeministrit të atëhershëm Berisha, por sërish Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në punë.
Në vitin 2015 ai u zgjodh kryetar qarku në Kukës. Faxweb.al