Pedagogu i gazetarisë Zylyftar Bregu ka reaguar pas miratimit të paketës antio-shpifje për platformat elektronike si dhe votimit nga Kuvendi të shkarkimit të tij nga posti I anëtarit të AMA-s me 81 vota.
Sipas Bregut ky është një vendim për të cilin i është dhënë një argument i sforcuar duke argumentuar se të dyja aktet politike sipas tij (ai i miratimit të paketës dhe shkarkimit të tij), kanë lidhje.
“Në kuadrin e këtij projekt-ligji që rëndon pozitën e gazetarëve në veçanti dhe shton kontrollin mbi informacionin në tërësi, rilindja kërkon që mazhoranca në AMA të jetë më e konsoliduar!”, shkruan Bregu.
Ai vijon më tej se është zgjedhur për herë të dytë në këtë detyrë në vitin 2016 kur PS ishte në koalicion me LSI-në me 99 vota që sipas tij ishte një numër deputetësh më i lartë se ai që kishte aleanca e asaj kohe.
“Tanimë që lufta politike po synon territore të reja, AMA është një nga institucionet e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të rilindjes!”, ndërsa ka bërë edhe denoncimin e fortë kur thotë se Sebepi është marrja e një sipërfaqe toke me qera, për të cilën Kuvendi anashkaloi institucionin e posaçëm që shqyrton konfliktin e interesit.
Bregu ka paralajmëruar sa do të ndjekë rrugën gjyqësore për të fituar sipas tij, të drejtën dhe për të rivendosur në vend dinjitetin
Reagimi i plotë:
Një ditë pas Qeveria miratoi paketën që synon të rregullojë rregjistrimin e platformave elektronike (ose paketa anti-shpifje), Kuvendi miratoi me 81 vota shkarkimin tim si anëtar i AMA-s, me një argument të sforcuar për konflikt interesi!
Të dyja këto akte politike kanë një lidhje!
Në kuadrin e këtij projekt-ligji që rëndon pozitën e gazetarëve në veçanti dhe shton kontrollin mbi informacionin në tërësi, rilindja kërkon që mazhoranca në AMA të jetë më e konsoliduar!
Për transparencë jam zgjedhur në këtë post (për mandatin e dytë radhazi) në korrik të vitit 2016, nga maxhoranca e atëhershme (PS-LSI). Edhe pse gjatë votimit plot 99 deputetë votuan pro kandidaturës, numër që është përtej kësaj aleance!
Tanimë që lufta politike po synon territore të reja, AMA është një nga institucionet e fundit që kishte mbetur jashtë kontrollit të rilindjes!
Sebepi është marrja e një sipërfaqe toke me qera, për të cilën Kuvendi anashkaloi institucionin e posaçëm që shqyrton konfliktin e interesit (ILDKPI/ Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave).
Sigurisht, siç e kam argumentuar edhe para Komisionit të Medias, unë do të ndjek rrugën gjyqësore për të fituar të drejtën dhe për të rivendosur në vend dinjitetin, duke premtuar edhe vazhdimin e angazhimit tim qytetar, shoqëror dhe administrativ!
(F.GJ/FAXWEB.AL)