Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka prezantuar sot rezultatet e punës javore të Task Forcës Antikorrupsion përmes të cilës është bërë i mundur identifikimi, dokumentimi dhe goditja e akteve korruptive në të gjitha nivelet e administratës në rang vendi. Gjatë kësaj jave janë konstatuar edhe disa shkelje në ZRPP e Durrësit dhe burgun e Burrelit.
Gjonaj u shpreh se -“nga shkeljet e konstatuara lidhur me procedurat administrative të ndjekura në Zyrën e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme Durrës, janë rekomanduar 18 masa disiplinore, vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra, për Regjistruesin si dhe për 17 specialistë të këtij institucioni.
Ndërkohë, pritet të dilet me konkluzione në një sërë institucionesh të tjera të inspektuara si spitale, drejtori rajonale tatimore, zyra të tjera regjistrimi pasurish të paluajtshme”
Gjithashtu, gjatë hetimeve administrative në burgje, janë identifikuar një sërë nëpunësish të përfshirë në shkelje të ligjit apo afera korruptive. 3 punonjës në burgun e Burrelit janë referuar në prokurori për ndjekje penale. Ata akuzohen për shpërdorim detyre dhe janë rekomanduar masa administrative edhe për 23 punonjës të tjerë.
Ministrja e Drejtësisë ka përgëzuar punën e Policisë dhe Prokurorisë. Ditët e fundit aksionet e tyre kanë bërë të mundur vënien në pranga të një numri të madh zyrtarësh, të akuzuar për përfshirje në afera korruptive.
“Ndërkohë që ne përgatitemi të publikojmë reformën e rëndësishme të pronës, goditjet e fundit që lidhen edhe me pronën, janë fillimi i një pastrimi të madh të titujve të pronësisë në zonën e bregdetit.
Falenderojmë, mbështesim dhe nxisim prokurorinë të vijojë të godasë korrupsionin e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”- ka cituar Gjonaj.
Rezultatet e javës së shkuar gjatë të cilës Policia e Shtetit ka ndaluar dhe arrestuar 23 persona në rrethet Tiranë, Elbasan,Korçë,Kurbin dhe Lezhë për veprat penale të korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personit që ushtron funksione publike janë vlerësuar maksimalisht nga Ministrja Etilda Gjonaj.
Sipas saj – goditja e çdo akti korruptiv, në të gjitha nivelet e administratës, pa asnjë dallim ngjyre politike apo përkatësie, është deviza e qeverisjes që përfaqëson.