Nga Arben Vata
Propozimi është ky; pas largimit të Sokol Ballës si drejtor i Informacionit, Lutfi Dervishi do të ishte personi i duhur që mund t’u japë lajmeve te Topit shkëlqimin e dikurshëm dhe që ky TV të bëjë lajme për qytetaret, duke ua rikthyer atyre ekranin.
Emra të tjerë janë sigurisht edhe Sonila Meco dhe Mentor Kikia, por TCH ka një politike të caktuar, sipas të cilës, nuk rikthen në punë personat e larguar.
Shkas për këto radhë sigurisht që është largimi nga ky ekran i Sokol Ballës, cka mendoj qe i jep fund sagës së largimit të një armatë të tërë gazetarësh dhe drejtuesish profesionistë të departamenteve të ndryshme të TCH, të cilet i dhanë jetë dhe emër Topit,( por sigurisht edhe vetes së tyre), dhe që realisht kanë shënjuar historinë e këtij TV në këto 15-16 vjet.
Kjo është lista e të larguarve (apo vetë-larguarve) të departamentit të informacionit të Top Channel në 15 vite:
Drejtues të departamentit:
Enkel Demi, Andi Bejtja, Mentor Kikia, Bledar Zaganjori, Arben Vata
Gazetarë në redaksinë e Tiranës: Mimoza Picari, Alida Tota, Elona Meco, Gert Selenica, Muhamed Veliu, Anduena Llabani, Eldri Buli, Klodiana Kapo, Dalina Buzi, Estela Ziu, Edlira Ruzi, Erjon Todhe, Endrit Sauku, Taulant Kopliku, etj
Gazetarë në rrethe: Juliana Dhimotri, Ilir Gjini, Artan Hasani, Berzat Hasa, Arben Ismaili dhe disa gazetarë korrespondentë në shtete të tjera si Erisa Zykaj, Idro Seferi, etj.
Folës lajmesh: Alfons Gurashi, Sonila Meco, Dhimiter Gjoka, Erjona Shehu, Drini Zeqo, Suela Demiri, etj.
Listës së gjatë i shtohen edhe Armir Shkurti e Aldon Lipe, ish drejtues të Fiks Fare si dhe mjaft gazetarë të ketij emisioni investigues.
Lista vazhdon me ish drejtuesit admijistrativë të TV, Xhevdet Ferri, Enkelejd Joti, Skerdi Drenova dhe Hektor Pustina, si dhe me ish drejtuesit e departamenteve të ndryshme si, drejtorin e fotografisë, mjeshtrin Bujar Kokonozi, mjeshtren e montazhit Mimoza Musaraj dhe plot djem e vajza që kanë dhënë kontributin e tyre si kameramanë, montazhierë, etj, etj. Kjo listë mbyllet me drejtues të emisioneve të ndryshme si Rudina Xhunga, Adi Krasta, Agron Llakaj dhe një seri aktorësh të Portokallisë, të cilët sot i shohim në të gjitha ekranet e tjera.
Kërkoj ndjesë nëse për shkak të kohës së gjatë të shkëputjes, viteve të kaluara dhe nxitimit, mund të kem harruar ndonjë emër tjetër, por ju lutem që ta shtoni edhe atë në këtë listë të hapur.
Sic mund të shihet, kjo është një listë me të cilën mund të ringrihet sërish një TV tjetër shumë profesionist. Por realisht thuajse të gjithë këta emra janë shpërndarë në TV rivalë të TCH apo në fusha të tjera, cka ka cuar në forcimin e konkurentëve të Topit dhe vit pas viti në zbehjen e fuqisë së ekranit më të dashur për shqiptarët në fillimet e tij.
Vitet 2002-2009 ishin realisht vitet e shkëlqimit të këtij televizioni. Ata që punuan dhe kontribuan aty ishin shumica të rinj në moshë, por edhe në profesion, por nuk kursyen asgjë për ti dhënë më shumë emër vetes dhe TV ku punonin. Ishte koha kur pronari i Top Channel, Dritan Hoxha, ishte në opozitë me të gjithë; Nanon, Berishën dhe Ramën.
Ishte koha kur ekrani ishte për qytetarët dhe jo per politikanët. Ishte koha kur Tani mërzitej kur shihte politikanë nëpër lajme dhe nuk ndërhynte kurrë për të favorizuar këtë apo atë politikan të qeverisë apo opozitës. Ishte koha kur Topi kishte ndikim të madh në opinionin publik dhe në politikë, jo duke treguar varësi, por pavarësi.
Se cfarë ka ndodhur më pas me Top Channel pas vdekjes së Tanit, (2008) gjithkush e di dhe nuk është sekret të thuhet se vit pas viti ndryshoi fytyra e TV, imazhi i tij, por edhe gazetarët dhe drejtuesit. Kjo është një cështje që u takon pronarëve dhe drejtuesve të sotëm, pasi edhe paratë janë të tyre. Por Top Channel, ishte dhe mbetet lajm sa herë flitet për të.
Topi, dikur ekrani më i dashur i gjithë shqiptarëve, ishte një pasuri kombëtare dhe e tillë u bë edhe falë kontributit të të gjithë atyre që i dhanë atë imazh këtij televizioni të krijuar në fundin e vitit 2001. Ata ishin djem dhe vajza të reja, plot jetë dhe energji, të cilët për arsye të ndryshme nuk mundën ta mbyllnin ciklin normal të karrierës në këtë televizion.
Sigurisht që njerëzit në një profesion nuk janë të përjetshëm, por shumica e emrave që lexuat më sipër kishin të paktën edhe 10-15 vite të tjera kohë fizike dhe profesionale për tja dedikuar vetes dhe Top Channel.
Ndërprerja e karrierës së tyre në këtë ekran, ishte më shumë e dëmshme për Topin sesa për ta. Roma nuk bie brenda ditës, por të mos harrohet se as nuk është ngritur për një ditë!