Ai ishte një nga këshilltarët kryesorë të kryeministrit britanik Boris Johnson, ndërsa rasportohet nga mediat britanike se sapo ka dhënë dorëheqjen.
Shkencëtari Neil Ferguson, akuzohet si personi përgjegjës për vendosjen e bllokimit në Britani, pasi ishte pikërisht ai që i sugjeroi masat e duhura kryeministrit.
Por, pavarësisht se 51 vjeçari sugjeroi marrjen e këtyre masave, ai vetë nuk i zbatoi ato. Profesori i kërkoi gruas së tij të udhëtonte drejt Londrës, për ta vizituar në shtëpinë ku po qëndronte, pavarësisht bllokimit.
Neil jo vetëm që e cilëson bllokimin si një masë jetike, por gjithashtu sapo kishte mbaruar 14 ditët e karantinimit pasi kishte testuar pozitiv për Covid-19. Praktikisht, personi që parashikoi se nëse nuk do vendosej bllokimi, 500.000 britanikë mund të ndërronin jetë, ka shkelur të gjitha rregullat që ai vetë ka sugjeruar qeverisë. Ai është fotografuar dhe lajmi ka bërë xhiron e mediave britanike, gjë e cila e ka shtyrë të japë dorëheqjen, shkruan Daily Mail.
“E pranoj që kam vepruar gabim. Besova se pas 14 ditësh pas testimit, do të isha imun ndaj koronavirus. Më vjen keq për mesazhin negativ që përcolla tek njerëzit me veprimin tim të nxituar. Duhet të tregohesha një model në ndjekjen e rregullave të kësaj pandemia shkatërruese, por i zhgënjeva të gjithë. Njësoj si ju, edhe unë duhet të zbatoj çdo masë dhe udhëzim qeveritar, për këtë arsye e ndjej të nevojshme të jap dorëheqjen”, u shpreh shkencëtari.