Shkëndija e Tetovës është shfaqur skuadra më në formë nga të gjithë skuadrat shqiptare në turin e parë të Europa League. Ekipi kuq e zi ka kaluar në raundin e dytë duke shkatërruar skuadrën moldave të Dacia Chisinau me një rezultat të frikshëm 0-4, duke i çuar shifrat e përgjithshme në 7-0. Ndeshja e parë në Maqedoni ishte mbyllur me rezultatin 3-0 në favor të ekipit të Shkëndijes.
Pavarësisht se moldavët ishin më kërkues në fillim ata shpejt lëshuan terren, në minutën e 37 ngelën me 10 lojtar duke i lehtësuar më tepër punën ekipit mik.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 0-2 për Shkëndijën e Tetovës.
Alimi në minutën e 32 dhe Junior në fund të pjesës së parë ishin autorët e golave.
Për dy golat e tjerë menduan Zejnullahu në minutën e 81 dhe më pas Hasani në të 89-tën, duke vulosur rezultatin përfundimtar. (B.H/Shuplaka)