Fax News raporton se situata në qarkun e Shkodrës po përkeqësohet si pasojë e përmbytjes për shkak të shirave dhe shkrirjes së borës. Rreth 900 hektarë tokë në Shkodër dhe Muriqan gjenden nën ujë.
Bëhet me dije se rreth 800 banorë të fshatit Oblikë janë pa ujë të pijshëm si pasojë e përmbytjes së ujësjellësit Oblika 1. Rrezikon të përmbytet edhe ujësjellësi Oblika 2.
Mësohet se në njësinë administrative Dajcc, niveli i ujit ka shkuar 20 cm si dhe rrugët dytësore në fshatin Obot janë tashmë të bllokuara.
Ndërkohë që më herët, pas kërkesës së Kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, për të shpallur gjendjen e emergjencës në zonën e Anës së Malit, ku janë përmbytur 900 ha tokë bujqësore, prefekti i Qarkut Shkodër, Çesk Millja ka mbledhur në orët e darkës Shtabin e Emergjencave .
Sipas prefektit, për momentin nuk ka një situatë për të shpallur emergjencë civile, pasi gjendja është nën kontroll.
“Aktualisht shkarkimet e kontrolluara në total, me gjithë 5 agregatet në punë nga Vau Dejës, janë 1300 m3/sek dhe situata është e menaxhueshme. Situata është duke u monitoruar dhe gjykojmë e shpresojmë se do të ruhet kjo gjendje, duke mos pasur përkeqësim të situates.” – mësohet të jetë shprehur prefekti Millja.
(E.L/Faxweb)
Discussion about this post