Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, në përfundim të hetimit të kryer në kuadër të procedimit penal nr.2146 datë 26 nëntor 2015 ka dërguar për gjykim shtetasen A.SH., me funksion ish-Drejtoreshë e Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Shkodër si dhe shtetasit S.Z., GJ.L., S.L., I.T. dhe J.V., me funksion specialistë në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, në Bashkinë Shkodër akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Këta shtetas akuzohen të kenë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe aktet nën ligjore në fuqi dy leje ndërtimi dhe konkretisht lejën e ndërtimit nr.40 prot. datë 22 gusht 2013 për objektin “godinë shërbimi 3 kat me çati + bodrum”, për invesitorin shoqëria “Old-B” shpk dhe nr.10 datë 16 prill 2009, për objektin “kompleks banimi dhe shërbimi 8 kat + bodrum (kati përdhe njësi shërbimi), për investitorin shoqëria “Vllaznimi+Idel” shpk.
Në dhënien e këtyre lejeve të ndërtimit nuk janë respektuar kushtet e parashikuara nga ligji dhe aktet nënligjore në lidhje me distancat midis objekteve, distancat e tyre nga rruga publike si dhe koefiçenti i shfrytëzimit të tokës duke cënuar kështu interesat e pronarëve të pronave kufitare.
(B.H/Faxweb)
Discussion about this post