Në kuadër të planit operacional policor antikanabis, të koduar “Koordinata”, Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike. Si rezultat i hetimeve me metoda proaktive, të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, Sabri Buhaj, 62 vjeç dhe Sabjan Buhaj, 22 vjeç (babë e bir), banues në fshatin Drisht.
Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar për kultivimin e 114 bimëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u gjetën dhe u asgjësuan nga shërbimet e Policisë më datë 02.07.2025, gjatë kontrolleve të territorit.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Policia e Shkodrës vijon punën për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme që lidhen me kultivimin e bimëve narkotike, si dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast të tillë.