Pas denoncimit tek ish-kryeministri Sali Berisha, i një rasti në spitalin e Peshkopisë, ku një 20-vjeçar kishte shkuar në spital për tu kontrolluar për një puçër në shpinë por doktori i kishte hequr apendisitin, ka reaguar edhe mjeku përgjegjës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, doktori i cili njëherësh është edhe bashkëshorti i deputetes Almira Zebi Xhembulla, Gazmend Xhembulla, shprehet i indinjuar nga ngjarja, ndërsa shton se ndaj pacientit janë zbatuar rigorozikisht të gjitha rregullat dhe procedurat përkatëse. Sipas doktorit Xhembulla, ky është një sulm që lidhet me punën e bashkëshortes së tij.
Reagimi i plotë i doktorit
“Ndjehem thellësisht i keqardhur nga disa informacione të pavërteta që janë përhapur gjatë ditës së sotme. Në respekt të familjarëve dhe opinionit publik, ndjej detyrimin të jap këtë sqarim:
Si mjek kirurg, me një eksperiencë mbi 20-vjeçare, deklaroj nën përgjegjësine time të plotë, morale dhe profesionale, se ndaj pacientit E.S. janë zbatuar rigorozisht të gjitha rregullat dhe procedurat, sipas protokollollit mjekësor në fuqi.
Jam gati të mirëkuptoj shqetësimin e pacientit dhe familjarëve, por ndjej keqardhje të thellë kur shoh që një akuzë e pavend dhe aspak profesionale, është bërë sot nga një ish mjek dhe ish profesor i imi.
Që nga dita e parë e punës time si mjek, u kam shërbyer dhe u shërbej qytetarëve me profesionalizëm dhe devotshmëri, për këtë dëshmitarët më të mirë janë kolegët e nderuar dhe ata mijëra bashkëqytetarë të mitë.
Po kaq e padrejtë dhe dashakeqe është lidhja që i bëhet rastit në fjalë me punën e bashkëshortes time. Unë punoj përditë për ta luftuar sëmundjen, më vjen keq që dikush sot ka zgjedhur të bëjë politikë me të.
Në çdo rast, jam i hapur dhe u kërkoj strukturave përgjegjëse që të bëjne të gjitha verifikimet e nevojshme për t’i shkuar deri në fund të vërtetës.
(B.B/ Faxweb.al)