Një i ri është arratisur nga ambientet e Gjykatës së Korçës teksa po priste që të merrte masën e sigurisë.
Bëhet fjalë për 21-vjeçarin e identifikuar si Kristian Medolli i cili mesditën e sotme iu arratis policisë së shtetit.
I riu ishte shoqëruar para dy ditësh për vjedhjen e një banese në fshatin Qatrom dhe sot do të njihej me masën e sigurisë. Burimet të “Fax News” bëjnë me dije se policia ka vendosur postblloqe në hyrje-dalje të qytetit për të arrestuar sërish Kristian Medollin.
Njoftimi i policisë Korçë:
“Mesditën e sotme, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, nga salla ku po zhvillohej seanca gjyqësore, është larguar shtetasi K. M., 21 vjeç, banues në Qatrom, Korçë, (i arrestuar më datë 06.05.2022, për vjedhjen e një banese në fshatin Qatrom).
Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e këtij shtetasi.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”