Ngjarje absurde por edhe pakuptimtë për qytetarët. Dy të moshuar nga Valiasi, një burrë dhe një grua, kanë denoncuar në polici se persona të panjohur kanë tërhequr pensionine tyre, të muajit dhjetor në zyrën e Postës. Në datën 26 janar pensionisët kanë shkuar në Postën e Valiasit për të tërhequr paratë por rezultoi se dikush tjetër i kishte tërhequr para tyre, shkruan një portal online.
Dy të moshuarit me iniciale L.G., 74 vjeç dhe shtetasja me iniciale M.G., 70 vjeçe, do të tërhiqnin thuajse nga 20 mijë lekë të rinj secili. Në momentin që kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, duke ia dorëzuar punonjësit të postës, kanë marrë përgjigjen që pensioni i tyre ishte tërhequr.
Fillimisht ka pasur një debat në zyrë, pasi të moshuarit kanë thënë se nuk kishin autorizuar njeri për të marrë paratë e tyre. Më pas ata kanë bërë në Komisariatin nr.5 denoncimin, ku kanë dhënë shpjegime edhe për dyshimet e tyre. Po kështu nga ana e policisë ka nisur hetim për ngjarjen.
Detaje:
“Më datë 26 janar, shtetasi L.G. 74 vjeç dhe shtetasja M.G. kanë kallëzuar se, në Valias, te Posta, persona të paidentifikuar u kanë tërhequr pensionin. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 135 i Kodit Penal”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës. Burimet thanë se në lidhje me kallëzimin e të moshuarve janë marrë në pyetje edhe punonjësit e postës, të cilët e kanë mohuar përfshirjen e tyre në ngjarje. (J.V/Shuplaka)