Shkon të marrë ushqime me gomar , vdes nga i ftohti 53-vjecari Ajet Zikollari.
Ngjarja është regjistruar në Pogradec, në zonën e Proptishtit.
Banorët e zonës janë shprehur se 53 vjecari nga fshati Selcë e Sipërme kishte shkuar me gomar të merrte ushqime në Proptisht. Zikollari nuk ka mundur të kthehej në banesë pasi kishte ngrirë në borë. Kur kafsha me të cilën transportonte ushqimet kishte arritur në banesë pa 53 vjeçarin, familjarët menjëherë u vunë në kërkim ku dhe më pas e kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës, të ngrirë.
Prej ditësh banorët e zonës kanë bërë apel për ndihmë për ushqime edhe ilaçe, por askush nuk ka marrë masa për apelin e tyre dhe të ndërhyrjnë për zhbllokimin e zonës. Prej ditësh dhjetra banorë vijojnë të ngujuar prej motit të keq me rreshje dëbore.
Policia nuk jep asnjë informacion për ngjarjen e ndodhur. Ndërkohë që ngjarja është pranuar edhe nga administratori i zonës Safet Doce , njësia administrative Trebinjë.
Ngjarja merr përmasa edhe më të rënda. Familjarët e kanë të pamundur të kryjnë ceremoninë mortore të viktimës prej pamundësisë për të marr arkivolin në fshatin ku ndodhet viktima për shkak të zonës të bllokuar nga bora.