Partia Socilaiste ka rritur numrin e mandateve të saj në parlament, duke rreshtuar pas vetes dhe dy deputete të tjera.
Dy deputete e PDIU-së, të cilat morën mandatin e deputetit në Dibër dhe Elbasan, Reme Lala dhe Elena Xhina prej ditës së sotme i janë bashkuar Partisë Socialiste.
Lajmin në fakt e ka bërë të ditur sot Reme Lala nga Dibra, ku Rama ndodhet për të nisur punimet e rrugës së Arbrit.
“Unë dua të bashkohem me më të mirët, me Olta Xhaçkën dhe Lindita Nikollën. Dua të bashkohem me PS, se nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë”, tha Reme Lala sot në Dibër.
Ajo nuk u ndal me kaq, por tha se në këtë ceremoni është e pranishme edhe Elena Xhina, deputetja çame e Elbasanit, e cila ka vendosur ti bashkohet Partisë Socialiste.
Kështu PS ka zyrtarisht 76 deputete. Ndërkohë që, PDIU tashmë ka vetëm një deputet në grupin e saj, Dritan Bicin, i cili mori mandatin e deputetit Aqif Rakipi.