Nga Panajot Barka
Pavarësisht nga kostoja, do të ishte një arritje madhe demokracie nëse vërtet çeshtja Shkullaku do të krijonte premisa “për me u pa”, d.m.th për të mundësuar mediet të gjenin rrugën e humbur. Fatkeqësisht, çeshtja Shkullaku vetëm sa na lejon për të parë pak më thellë nga sa duket, seç ndodh në pushtetin e katërt në vendin tonë, me atë pushtet që përbën garantin e funksionimit të parimeve të një jete civile dhe demokratike dhe kontrolluesin e tre pushteteve të tjera në tërë shtrirjen e tyre. Më saktë u bë shkak që të dalë në shesh shkalla e kalbjes dhe e kapjes së pushtetit me mision real të vërtetën, krizën e tij të thellë dhe të gjithanshme.
Rasti i Mandit dhe i shumë të tjerëve me emër apo pa emër në publik, që i njohëm këto ditë, kanë fatin e njeriut, gazetarit, të tëpërt në një komunitet mediatik të marrë peng nga pronarët e mediave dhe në një shoqëri dhe shtet të mbërthyer nga kriza.
Në një kendvështrim më integral tregon realisht shkallën e degradimit të shtetit dhe kollonave që e mbajnë atë. Pra, pushteti i katërt, media, është kthyer me kohë, jo thjeshtë në pjesë e ingranazheve të kësaj kalbjeje, por në katalizator të këtij procesi dhe njëkohësisht në mbrojtës të tij, ose në instrument për të krijuar iluzionin optik të gabuar për shkallën e madhe të informalitetit të të gjitha strukturave të shtetit, deri të indi më i skajshëm i tij.
Sot shikojme një ballafaqim mediatik më intensiv për krizën brenda vet llojit të mediave, – krahasimisht me shpërthimet e krizave të tjera, si në sistemin e drejtësisë, të ekzekutivit, të legjislativit, të krimit të organizuar, të partive politike etj. E bën më të dukshmen dhe më tronditese fakti se të gjitha shpërthimet e tjera shfaqen nëpërmjet mediave. (Vetëm ama sa shfaqen, nuk është se zbulohen apo luftohen prej mediave). Mediat, ndryshe nga të gjithë faktorëve të tjerë kalbezuesë të shtetit, nuk kanë një sistem të brendshëm të vetin, të unifikuar dhe të imunizuar.
Po ashtu, në pjesën më të prekshme të këtij ballafaqimi publik të mediave evidentohen përplasjet eksponentesh mediatik, që tregon se ajo që njëkohësisht i bashkon dhe i ndan deri në përplasje krokodilesh, janë interesat okulte, pazaret kompromentuese, niveli i thellë i përuljes shërbyese, meskiniteti dhe imoraliteti ndaj parimeve, egoizmi dhe arbitrariteti, që kanë si definicion abuzimin e thellë me misionin e gazetarisë dhe publicistikës. Tregon në fund të fundit se kultura civile dhe ajo demokratike është akoma larg edhe nga shtresa më publike dhe opinionbërese të shoqërisë
Mungesa e një solidariteti të brendshëm mediatik, ndodh edhe për faktin se mediat janë kthyer me kohë në pjesë të kapur, nga sistemet e tjera që zotërojnë para, kuptohet të pista, ose duke i kaluar në kanalet e medjave i shndërrojnë ato në të pista, në këmbim të shërbimeve për të mbrojtur këto sisteme dhe interesa, të cilat nuk mund të mbijetojnë pa shtimin e pisllekut, abuzimit, korrupsionit. Aq nënshtruese dhe tragjike janë këto marrëdhënie të personazheve mediatike, saqë përpjekja më e vogël për t’iu kthyer lirisë së tyre, u kushton shumë shtrenjtë. Pra, ata janë kthyer në skllevër me kravatë, me shumë para dhe luks, por pa lirinë e gazetarit në shërbim të së vërtetës.
Padroni më i madh i tyre është pushteti politik i shfaqur kryesisht nëpërmjet ekzekutivit, pasi ky pushtet ka arritur të kontrollojë, nëpërmjet parasë, të gjitha pushtetet dhe sistemet e tjera, po në emër të parasë.
Kriza në fakt vjen pikërisht nga kjo prishje e thellë e ekulibrave që rregullojnë marrëdhëniet midis pushteteve dhe midis shtetit dhe shoqërisë e individit. Mbulesat dhe strehat që mediat i krijonin këtij realiteti për të fshehur deformimin e tyre të thellë dhe antivlerat e mprehta nuk janë më rentabël. Aq e thellë është kriza e tyre sa që edhe streha e nacionalizimit nuk funksionoi.
Nga ana tjetër, frika e ekzekutivit për humbjen e pushtetit, të cilin e shikon si burim privilegjesh por edhe si mbrojtje efektive e atyre të fituar, është e lidhur pazgjidhshmërisht me nevojën për të kontrolluar gjithçka që siguron ruajtjen e tij. Objektivisht, një situatë e tillë krijon premisa diktature dhe kjo rrugë bëhet më e lehtë kur kontrollon së pari mediat. Kjo tek ne po bëhet më e rrezikshme se duke qenë se mediat janë të lidhura me interesa okulte të pronarëve të tyre me pushtetin politik, shfaqin në maksimum një zell pa kufi për t’u kthyer në shërbetorë të pushtetit cilidoqoftë ai. Kjo shoqërohet me autocensurë që presupozon mënjanimin e çdo elementi që me sjelljen e tij vë në dyshim këtë vasalitet.
Pra, edhe rasti i Armand Shkullakut, që në vende të tjera do të prodhonte një zinxhirë reaksionesh dhe reagimesh në favor të lirisë së humbur të shtypit, do të provokonte një lumë iniciativash për krijimin e shoqatave të gazetarëve vërtetë të pavarur, do të krijonte një përrua të rrembyeshëm për të thyer vargonjtë e politikës dhe të krimit të organizuar nga mediat, tregon se hapësirat e lirisë dhe të pavarësisë së shtypit tek ne, mbeten të kufizuara dhe pa përkrahje! Mbeten pjesë e tërësisë së shoqërisë edhe pse në rastin e shtypit nuk ka vend risia që çdo popull meriton shtypin e vet.