Shkupi zyrtar ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili komentoi dy ditë më parë krizën në Maqedoni dhe rolin e shqiptarëve në të.
Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka këshilluar politikanët e vendeve fqinje që të fokusohen në problemet e vendeve të tyre dhe të mos përzihen as komentojnë punët e brendshme të Maqedonisë.
Sipas kësaj ministrie, zjarrvëniet e qëllimshme te fqinjët, shkojnë kundër vlerave evropiane.
“Rikujtojmë se në Maqedoni ka përfaqësues të zgjedhur nga qytetarët. Ata janë faktorët e vetëm legjitim për sjelljen e vendimeve. Do të ishte mirë që koncepti i Maqedonisë për integrim multikulturor në shoqërinë e bazuar në vlera evropiane, ta zbatojnë edhe shtetet fqinje. Politikanët nga shtetet fqinje vazhdimisht tentojnë që ta tërheqin vëmendjen nga problemet e shtëpisë. Zjarrvëniet e qëllimshme te fqinjët, shkojnë kundër vlerave evropiane. Gjithsesi është më tërheqëse për to që të merren me vendet fqinje, në kushte kur përballen me problemet reale të qytetarëve të vendeve të tyre. Megjithatë, për të gjithë do të jetë më mirë që të përkushtohen ndaj reformave që janë mjaft të rëndësishme përpara se të ëndërrojnë për lidership dhe të krijojnë ndarje ne rajon”, është shprehur Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë.
Në deklaratat e tij, kryeministri i Shqipërisë ka shprehur rëndësinë e rolit të shqiptarëve në Maqedoni, ku ata janë popullsi shtetformuese. “Pa shqiptarët nuk ka Maqedoni”, është shprehur Rama.
“Ne e respektojmë pluralizmin e partive siç respektojmë Maqedoninë një dhe të pandashme. Në respekt të pluralizmit të tyre, ata kanë rënë dakord që disa çështje themelore që nuk janë të reja, të shpikura apo të shkruara në Tiranë, por të vulosura marrëveshjen tanimë antike të Orhrit, të vendosen në tavolinë si detyrime të përbashkëta të shqiptarëve dhe të maqedonasve për t’i implementuar.”, është shprehur ndër të tjera Rama. (XH.A/SHUPLAKA)