Pas reportazhit nga Abc News ku tregohej se si në fshatin Polis- Sheh të Librazhdit vajzat kanë filluar të fejohen që në moshën 12-vjeçare, vjen reagimi i një imami në Librazhd i cili thotë se në bazë të fesë islame kjo është e lejueshme.
Martesa në moshë të mitur është një problem që haset gjerësisht në Shqipëri. Shpesh herë janë kushtet ekonomike, ndërsa shumë herë të tjera është kultura dhe mentaliteti i prindërve.
Reportazhi i fundit mbi rastin e vajzave 12-14 vjeçare, të cilat braktisnin shkollën të nxitura nga prindërit për t’u martuar, ka nxitur reagimin e deputetes së Partisë Demokratike, Majlinda Bregu.
Bregu është shprehur e indinjuar nga ky rast, pasi sipas saj nuk është vetëm varfëria, mentaliteti, injoranca dhe abuzimi me fenë që shkaktojnë drama të tilla, por mbi të gjitha është apatia e institucioneve shtetërore dhe lokale, të cilat ashtu siç shprehet Bregu, vetëm flasin nga hotelet e Tiranës dhe nuk guxojnë të shkojnë në zemër të problemit.
“Janë neglizhenca e pazotësia e pushtetit qëndror dhe lokal, institucioneve të ligjit, edhe e OJF gjithashtu, që për fenomene si në Polis-Sheh flasin nga Zyrat dhe Hotelet e Tiranës!
Është nanurisja nëpër zyra e zgjimi i dhunshëm vetëm ne kohë fushatash, që nuk lejon të shohësh se të ndalësh rritjen e fëmijëve, të viktimizosh vajzat e gratë, ke thelluar radikalizmin, nuk e ke luftuar atë!
Dhe që të mos dukem vetëm e tronditur nga sa dëgjova: Ështe koha të ulemi e të përcaktojmë një standard të ri ligjor të varfërisë”, ka thënë ndër të tjera Majlinda Bregu. (M.D/ Shuplaka)
https://www.youtube.com/watch?v=5CEWZMLPXmw