Fax News raporton se nënkryetari i Shoqatës “Çamëria”, Dritan Sejko, u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të bashkohen në protestën që organizohet të shtunën më datë 24 shkurt 2018, në orën 12:00, në rrugën e Ambasadave, përpara ambasadës greke në Kryeqytet.
Sejko ka deklaruar si motiv të protestës, marrëveshjen e fundit të qeverisë shqiptare me Greqinë për kufirin detar, varrezat e ushtarëve grekë dhe shpikjen sipas tij, të minoritetit të paqenë grek në Himarë.
Dritan Sejko është shprehur se fyerjet e vazhdueshme të elitës politike dhe shtetërore greke kundër shqiptarëve nuk mund të lejohen më.
“Ne jemi për një marrëveshje të drejtë e që zgjidhin e qetësojnë problemet, e jo që krijon probleme më të mëdha.
Turpi do ti mbulojë ata që mendojnë se mund të bëjnë marrëveshje për emrin e Çamërisë, apo që mendojnë se mund të bëjnë një marrëveshje pa reciprocitet, duke cënuar interesat kombëtare me marrëveshjen e Detit, për Kufijtë tokësorë, për ligjin e luftës, siç bën me ligjin për toponimet, me ligjin për minoritetet, apo me marrëveshjen e turpshme për varrezat, duke harruar që të paktën për palën shqiptare të vdekurit në tokën e tyre në Çamëri të kishin të njëjtën vlerë si ushtarët pushtues grekë.
Çamëria nuk negociohet as nga ju e as nga shtetarët e përkohshëm sepse Çamërinë , Detin, Tokën, Varret, Kufijtë dhe Shqipëria, nuk janë pronë asnjë qeverie. Ato janë amanet, janë identiteti ynë, e ne me dinjitet kemi veç një mundësi t’ia lemë brezave .
Prandaj, ne sot i bëjmë thirrje çdo shqiptari, nga të gjitha trevat, shoqërisë civile ti bashkohen protestës tonë, ditën e shtunë, në orën 12.00, pranë memorialit të Adem Jasharit, heroit legjendar të trevave tona veriore, që për krenarinë, për ruajtjen e vlerave të identitetit kombëtar, të jemi me një zë të fortë kundër të gjithë atyre, që duan të na nëpërkëmbin, për të treguar që ky vend ka Zot dhe t’i japim një mesazh të qartë kujtdo që mendon se mund të na heshtë, në të drejtat tona kombëtare në trevat tona jugore!”
(E.L/Faxweb)