Shoqata dhe Unioni i Gjyqtarëve, mësohet se kanë ankimuar në fshehtësi “Vettingun”. Gjyqtarët kanë kërkuar që gjykata të shfuqizojë si të papajtueshme me Kushtetutën disa pika nenesh.
Ky ankimimi, i bërë më 25 maj, është i 4 që vjen në Gjykatën Kushtetuese për ligjet e reformës në drejtësi pas ligjit të Vettingut dhe ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Konkretisht, ata kanë kërkuar që:
- gjykata të shfuqizojë si të papajtueshme me kushtetutën kushtet e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, konkretisht nenin 7 në pikat a dhe c ku thuhet se gjyqtarët në kohën e kandidimit, të kenë ushtruar funksionin e gjyqtarit për të paktën 10 vjet dhe të jenë vlerësuar të paktën “shumë mirë” në dy vlerësimet e fundit të performancës etike dhe profesionale;
- që të shfuqizohet pika 1 e nenit 59 ku thuhet se Kryetari dhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor zgjidhen në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jogjyqtarë me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve. Këtu kërkohet të hiqet fjalë zëvendëskryetari;
- të hiqen fjalët 2 anëtarë jo gjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar në pikën 8 të nenit 62, ku thuhet se Komisioni i Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit përbëhet nga 2 anëtarë jo gjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar;
- të hiqen fjalët 2 anëtarë jo gjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar në pikën 13 të nenit 62 ku ligji citon “Për shqyrtimin e ankimeve kundër vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për arkivimin e ankimit ose pushimin e hetimit ndaj një gjyqtari, krijohet një komision i përkohshëm i përbërë nga 2 anëtarë jo gjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar”.
- të shpallen si të papajtueshme me Kushtetutën edhe pika 6 e nenit 68, pika 2 e nenit 72, pika 1 e nenit 157, pika 8 dhe 13 e nenit 160, pika 6 e nenit 166 dhe pika 2 e nenit 175.
- të shfuqizohen edhe disa pika të ligjit për statusin e gjyqatrëve dhe prokurorëve;
(XH.A/SHUPLAKA)