Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë njofton se sot, më 15 tetor, do të zhvillohet një marshim sensibilizues në kuadër të Javës së Shkopit të Bardhë. Ky marshim synon të tërheqë vëmendjen mbi rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të ligjeve që mbrojnë të drejtat e personave të verbër.
Gjatë marshimit, do të theksohet nevoja për përmirësimin e infrastrukturës që mundëson lëvizjen e pavarur të personave të verbër. Po ashtu, do të kërkohet rikthimi i shërbimeve speciale që, për shkak të mungesës së vëmendjes nga qeveria, nuk ofrohen më që prej vitit 2016. Këto shërbime janë thelbësore për përfshirjen e tyre në arsim, punësim dhe shoqëri, duke garantuar një jetë të barabartë dhe dinjitoze.
Marshimi është një thirrje për institucionet publike që të marrin përgjegjësinë dhe të veprojnë për zbatimin e ligjeve, duke siguruar barazi në të gjitha fushat e jetës.
Ora dhe vendi i nisjes: Ora 10:00, Pallati i Kongreseve
Ftojmë të gjithë gazetarët të jenë të pranishëm për të pasqyruar këtë ngjarje me rëndësi dhe për të mbështetur përpjekjet tona për një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.