Çështja e shqiptarëve të Çamërisë do jetë një prej temave kryesore të takimit që shoqata Pan-shqiptare “Vatra” bën çdo tre muaj në Departamentin Amerikan të Shtetit. Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, gjatë vizitës së tij në SHBA në shtetin e Michigan me ftesë të komunitetit shqiptar që jeton dhe punon aty prej vitesh, u takua me me Mondi Rakaj, përfaqësues i shoqatës Pan-shqiptare “Vatra, i cili është njëkohësisht kryetar i kësaj shoqate për degën në Michigan.
Në këtë takim të përzemërt kryetari i PDIU-së falenderoi përzemërsisht mbështetjen që shoqata Pan-shqiptare “Vatra” dhe gazeta “Dielli” kanë dhënë prej vitesh në mbështetje të Çështjes Çame, duke përkrahur çdo vit pelegrinazhin që zhvillohet në Varrezat e Kllogjerit, si edhe në përkujtimin e viktimave të gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, duke zhvilluar disa manifestime për këtë datë. Idrizi theksoi edhe njëherë përpjekjet e mëdha që PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë bërë prej vitesh për të çuar në vend amanetin e të parëve, ndaj edhe lobimi që kjo çështje të marrë rrugën e zgjidhjes duhet t’i bëjë bashkë shqiptarët.
Ai shtoi se, miratimi i Rezolutës, ndërtimi i Varrezave Monumentale të Kllogjerit, krijimi i Bashkisë së Konispolit, përpilimi i dosjes gjenocidiale çame me dëshmi dhe dokumente autentike, ndërkombëtarizimi i Çështjes Çame, hapja e dosjeve të komunizmit për këtë komunitet dhe miratimi i deklaratës për heqjen e Ligjit të Luftës që Greqia mban me Shqipërinë prej 85-vjetësh, të realizuara deri tani, janë përpjekje për të zgjidhur këtë çështje.
Ndërsa z. Mondi Rakaj, përfaqësues i shoqatës Pan-shqiptare “Vatra” siguroi kryetarin e PDIU-së se veprimtaria e “Vatrës” dhe gazetës “Dielli” do të jenë në mbështetje dhe përkrahje të kauzës çame.
Ai theksoi se kjo është treguar edhe në vizitën e kryetarit të “Vatra” Dr. Elmi Berisha në shtator 2024 në trojet shqiptare në Çamëri, ku Vatra apeloi shtetin shqiptar dhe grek për zbardhjen e krimit dhe gjenocidit të masakrave greke mbi shqiptarët e Çamërisë.
Ai tha se “Vatra” do të kërkojë gjithmonë drejtësi për Çamërinë dhe se çështja Çame, një çështje thelbësisht kombëtare do jetë gjithmonë ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë.
Çështja e Çame do të jetë një prej temave në takimin e radhës të shoqatës “Vatra” në Departmentin Amerikan të Shtetit, takim ky që zhvillohet çdo tre muaj.
Gjatë vizitës së tij në Michigan, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi u ndal në një tjetër takim me përfaqsues të diasporës shqiptare. Këtë herë me konsullin e nderit të Republikës së Shqipërisë në Michigan zotin Ekrem Bardha. Në këtë takim kreu i PDIU-së vuri theksin jo vetëm tek çështja e shqiptarëve të Çamërisë, por tek mbështetja që diaspora duhet të ketë nga shteti shqiptar. Ai theksoi se për diasporën është koha tani që të kenë një Ministri të tyren, si edhe pasaporta shqiptare të jepet për këdo që ka rrënjët nga Shqipëria. Ndërsa z. Bardha e siguroi që diaspora në Amerikë do të vazhdojë të mbështesë çështjen e shqiptarëve të Çamërisë, një prej plagëve të kombit shqiptar.
Ndalesa e radhës së takimeve të kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi ishte bashkia e City of Westland në Michigan, aty ku prej vitesh jetojnë shumë shqiptarë të emigruar në SHBA. Ky takim u zhvillua me Zv/kryetarin e bashkisë z. James Godbout.
Gjatë bisedës kryetari i PDIU-së u shpreh se komuniteti shqiptar i Amerikës e ka të nevojshëm bashkëpunimin për mësimin e gjuhës shqipe, ndaj marrëdhëniet institucionale me shtetin shqiptar duhet të ngrihen mbi këtë bazë.
Optimist për çdo bashkëpunim, në një frymë miqësore z. Godbout vlerësoi guximin për çështjen çame, për të vendosur në vend drejtësinë e munguar.