Kanë vijuar edhe gjatë pasdites së sotme shoqërimet e protestuesve që morën pjesë në protestën e PD-së sot në Elbasan, ku një prej tyre ka qenë edhe ish-deputeti i PD-së Luçiano Boçi.
Pas dhënies së dëshmisë së tij në polici, ish deputeti është liruar ku ka bërë edhe një deklaratë për media.
Në deklaratën e tij Boçi ka dënuar dhunën e policisë ndaj opozitës ditën e sotme duke u shprehur se veprimi i sotëm i saj tregon se policia është në shërbim të Ramës, pasi që sipas tij janë shoqëruar dhe ndaluar për “miting të paligjshëm” struktura drejtuese e zinxhirit politik të Partisë Demokratike të qarkut të Elbasanit.
“Veprimi i sotëm tregon që policia është vënë krejtësisht në shërbim të Edi Ramës, pasi sot është ndaluar pjesa e zinxhirit politik të Partisë Demokratike të qarkut të Elbasanit. Janë gati 15 të ndaluar, të proceduar penalisht për miting gjoja të paligjshëm, por që qytetarët janë në të drejtën e tyre për të protestuar ndaj kryeministrit, ndaj kësaj qeverie në bazë të Kushtetutës dhe të drejtës që e njeh ligji. Tek e fundit protesta nuk ka qenë e dhunëshme nga protestuesit, dhuna ishte nga ana e policisë.”
Boçi ka akuzuar policinë për dhunë duke u shprehur se, “sot protestuesit paqësore u përballën me forca e shumta policore dhe të armatosura me armë . Rama mendon se do ta burgos opozitën ,por keto janë grahmet e fundit të pushtetit të krimit.”
Sipas Boçit, “pavarësisht aksionit të policisë kjo nuk do ta ndërpres aksionin opozitar për të protestuar.”
Deklarata e ish-deputetit Luçiano Boçi:
Kjo është hakmarrja meskine e Edi Ramës për shkak se qytetarët e Elbasanit e braktisën takimin e tyre kërkuan ndalimin e ardhjes së tij në Elbasan për të gjitha ato arsye të cilat tashmë i dinë të gjithë qytetarët. Në fakt këta kërkojnë tyë burgosin opozitën, por opozita s’mund të burgoset. Opozita nuk është vetëm Partia Demokratike, opozita janë të gjithë qytetarët.
Veprimi i sotëm tregon që policia është vënë krejtësisht në shërbim të Edi Ramës, pasi sot është ndaluar pjesa e zinxhirit politik të Partisë Demokratike të qarkut të Elbasanit. Janë gati 15 të ndaluar, të proceduar penalisht për miting gjoja të paligjshëm, por që qytetarët janë në të drejtën e tyre për të protestuar ndaj kryeministrit, ndaj kësaj qeverie në bazë të Kushtetutës dhe të drejtës që e njeh ligji. Tek e fundit protesta nuk ka qenë e dhunshme nga protestuesit, dhuna ishte nga ana e policisë.
Të gjitha pamjet e regjistruara nga media, por edhe nga qytetarë që kanë qenë aty kanë dëshmuar qartë që policia ka qenë e armatosur deri më dhëmbë, me armatim të rëndë, me kallashnikov, me pistoleta. Ka provokuar ka shtyrë, ka sharë dhe ka goditur qytetarët, vetëm e vetëm që kryeministri i policisë së vet të kalonte i qetë, por jo vetëm rrugët, por edhe situata në Elbasan e gjetën ashtu sikurse ai nuk dëshironte.
Qytetarët e braktisën megjithëse shumica ishte marrë me zor me autobus nga Librazhdi, nga Cërriku. Në fakt sot kryeministri ka marrë përgjigjen e tij të merituar, ndërkohë që nervozizmi i tij vazhdon dhe ky fakt i sotëm është dëshmi e nervozizmit të tij dhe tregon qartë që ditët e Ramës janë të numëruara.
(B.L/FAXWEB.AL)