Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dha opinionin e tij për shortin e UEFA Nations League.
Tashmë kemi mësuar që kundërshtarët e Shqipërisë do të jenë Çekia, Ukraina dhe Gjeorgjia. Nga komentet e zotit Duka, kuptojmë se ai nuk është tepër i kënaqur që Shqipëria ra përsëri me Çekinë. Ai shprehet se do të donte të kishte një kundërshtar tjetër, ndoshta Anglinë.
Reagimi i Dukës:
“Shorti na vuri përballë me skuadra të të njëjtit nivel, por në përgjithësi kështu është i gjithë grupi B sepse kështu është ndërtuar Nations League, me kategori, me grupe dhe janë të gjitha të të njëjtit nivel, të katërt grupet. Grupi jonë mendojë që është i baraspeshuar, do ketë rezultate interesante. Nuk më vjen mirë që luajmë me të njëtën skuadër, më mirë të provonim me një ekip tjetër por shorti na vuri përballë Çekisë përsëri. Do të vizitojmë sërish Pragën dhe do presim Çekinë në Tiranë. Uroj të kemi të njëjtat rezultate si në kualifikuese” – tha fillimisht Presidenti Duka.
Më tej, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se fillimisht trajneri dhe skuadra duhet të përqendrohen te Europiani dhe më pas të mendojnë për UEFA Nations League.
“Megjithëse është shumë e rëndësishme, Nations League ka kohë që të fillojë pasi do të startojë në shtator. Ajo që unë kam në mendjen time, në fakt do të doja të isha i përqëndruar dhe të njëjtin përqëndrim do të doja të kishte edhe trajneri dhe skuadra, të përqëndrohemi në kampionatin Europian. Le t’i marrim me radhë gjërat siç i kanë rregullat e futbollit dhe pas kampionatit Europian le të mendojmë edhe për Nations League. Të mendojmë me seriozitet, por nuk duhet të shpërqendrohemi nga Europiani për momentin. Të përqendrohemi më shumë tek ndeshja e parë me Italinë e më pas te ndeshjet e tjera më vonë. Skuadrat e grupit B janë të gjitha skuadra të të njëjtit nivel. Mund të them që ndonjë skuadër është më e mirë edhe se te Liga A, si përshembull Anglia apo Çekia që janë të një niveli shumë të lartë. Këshu që nuk kisha ndonjë preferencë nga pikëpamja sportive, por nga pikëpamja e eksperiencave të reja do të doja të mos ishte Çekia, le të ishte një skuadër tjetër, qoftë edhe Anglia” – përfundoi prononcimin e tij Presidenti Duka.