Në një operacion të koduar “Winter”, Policia e Durrësit ka goditur një grup kriminal të përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave në Kavajë.
Pas hetimeve intensive dhe bashkëpunimit me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, janë arrestuar 13 persona dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Gjatë operacionit, janë sekuestruar qindra doza kokaine dhe kanabisi, pajisje për ndarjen e lëndëve narkotike, si dhe armë dhe pajisje për modifikimin e tyre.
Autoritetet vazhdojnë punën për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
“DVP Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Winter”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza.
Shitnin doza kokaine dhe kanabisi në afërsi të shkollave në Kavajë, në bashkëpunim dhe individualisht, identifikohen 15 shtetas. Vihen në pranga 13 prej tyre, 1 vihet në hetim, tjetri shpallet në kërkim.
Sekuestrohen qindra doza kokaine dhe kanabisi, pajisje për presimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza dhe shuma parash.
Gjithashtu, sekuestrohen 3 silenciatorë, 1 jelek antiplumb dhe pajisje për modifikimin e armëve të zjarrit, që u gjetën në një ambient në Kavajë, që dyshohet se ishte përshtatur për modifikimin e armëve të zjarrit.
Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të një procedimi për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, strukturat e DVP Durrës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Ëinter”, gjatë të cilit u ekzekutuan urdhrat e ndalimit për 13 shtetas, si më poshtë:
- Gj., 35 vjeç, banues në Rrogozhinë;
- D., 29 vjeç, banues në Kavajë;
- D., 22 vjeç, banues në Kavajë;
- L., 25 vjeç, banues në Kavajë;
- K., 19 vjeç, banues në Kavajë;
- Sh., 23 vjeç, banues në Kavajë;
- Sh., 21 vjeç, banues në Kavajë;
- M., 29 vjeç, banues në Kavajë;
- B., 33 vjeç, banues në Kavajë;
- A., 25 vjeç, banues në Kavajë;
- V., 52 vjeç, banues në Kavajë;
- D., 50 vjeç, banues në fshatin Synej;
- Xh., 38 vjeç, banues në Kavajë.
Gjithashtu, ka nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. M., 32 vjeç, banues në Kavajë dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. D., 32 vjeç, banues në Kavajë.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
80 doza kokaine, 620 doza kanabisi, 2 peshore elektronike, pajisje për presimin e lëndëve narkotikëve dhe ndarjen e tyre në doza, shuma parash në euro dhe lekë dhe 19 celularë;
3 silenciatorë, 1 jelek antiplumb, pajisje për modifikimin e armëve të zjarrit, 1 detektor dhe 1 bllokuesh valësh.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe individualisht, shitnin doza të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në zona të ndryshme të Kavajës, kryesisht afër shkollave.
Vijon puna për kapjen e shtetasit B. D.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.