Operacioni policor i koduar “White Snow” ka përfunduar me sukses pas një hetimi 3-mujor. Policia ka arrestuar një 45-vjeçar, i dyshuar për shpërndarjen e drogave të forta në qytetin e Vlorës.
Gjithashtu, gjatë operacionit janë sekuestruar sasi kokaine dhe prova të tjera që lidhen me këtë aktivitet kriminal.
Hetimet për këtë çështje vazhdojnë për të zbuluar më shumë detaje dhe personat e tjerë të përfshirë.
Informacion Paraprak:
Finalizohet pas një hetimi 3-mujor operacioni policor i koduar “White Snow”, vihet në pranga një 45-vjeçar me masë sigurie “Arrest në burg”, i dyshuar për shpërndarjen e drogave të forta në Vlorë.
Sekuestrohen sasi kokaine dhe prova të tjera që lidhen me këtë veprimtari kriminale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, pas një hetimi 3-mujor të kryer me metoda speciale për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “White Snow”.
Si rezultat, u bë e mundur lokalizimi dhe ndalimi i shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Vlorë, ndaj të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 04.03.2025, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë hetimeve, shërbimet e Policisë siguruan prova të mjaftueshme për përfshirjen e këtij shtetasi në shpërndarjen e lëndëve narkotike të llojit kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës. Nga kjo veprimtari kriminale, 45-vjeçari ka përfituar shuma të konsiderueshme parash, të cilat dyshohet se i ka gjeneruar nga shitja e dozave të kokainës.
Gjithashtu, gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kryen kontroll në banesën e tij, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 222 doza kokainë, 1 peshore elektronike, e përdorur për ndarjen e dozave, 2 aparate celularë, dhe 1 automjet.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.