“Ballist Morina është i gatshëm të vrasë veten nëse ekstradohet në Serbi. Rasti i tij na ka turpëruar. Me rastin e Ballist Morinës ne treguam që jemi patriotë vetëm në “Facebook””, kështu tha miku i Ballist Morinës.
I ftuar në “Zonë e Lirë”, Indrit Muratit, miku i Ismail Morinës u shpreh se akuzat për “nxitje të rracizmit dhe dhunës në stadium”, nuk qëndrojnë pasi në atë flamur është shkruajtur “Autoktonus”, që do të thotë zot në këtë vend, nuk është shkruajtur Shqipëri etnike.
Ndërsa shton se “Ballistit i ndodhi një fatkeqësi, babai i tij ndërroi jetë dhe u detyrua të vijë nga Italia, ku ai jeton me gruan dhe fëmijët e tij dhe erdhi në Kukës. Kur tentoi të ikte sërish në Itali, nuk e ka patur pasaportën pas urdhërarrestit nga Iterpolit. Është bërë gjyqi dhe është marrë vendimi për ekstradimin e tij në Beograd me akuzën “nxitje e rracizmit dhe e dhunës në stadium”..
Po ashtu ai tha se ka kontaktuar me të dhe sipas tij ka rrezikshmëri të lartë që ai të vrasë veten nëse ekstradohet.
“Ai nuk ka frikë nga asgjë se ai kur bëri atë që kishte rrezikshmëri… Ai s’ka bërë asnjë krim. Unë e njoh dhe asnjë shqiptar i vërtetë s’do ta pranonte të bjerë në duart e armikut i gjallë. Ai është i gatshëm të vrasë veten. Rasti i Ballist Morinës na ka turpëruar. Me rastin e Morinës ne treguam që jemi patriotë vetëm në “Facebook”, dhe nëse do të kishte një Luftë të Tretë Botërore në internet ne shqiptarët do ta kishim fituar se në internet jemi të gjithë të paparë”, tha Murati.
(S.SH/Shuplaka)