Zbatimi i reformës në drejtësi, mesa duket do të jetë edhe më i vështirë sesa ishte parashikuar. Sipas Top Channel kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, edhe në cilësinë e ish-kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi, e ka cilësuar të paligjshëm procesin e zgjedhjes së Këshillit të Emërimeve në drejtësi.
Në letrën që u ka dërguar të hënën, paralel me ministrin e Drejtësisë, presidentit, kryeparlamentarit dhe kryetarëve të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, Xhafaj thotë se procesi përzgjedhjes së listave nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën. “Kjo do të thotë, që edhe rezultati i nxjerrë nga shorti është antikushtetues”, thotë kreu socialist i Komisionit të Ligjeve, sipas të cilit në proces janë përdorur dy standarde.
Ky është një qëndrim i kundërt me atë të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, i cili e mbrojti publikisht procedurën e ndjekur nga Prokurori i Përgjithshëm, kur ai u akuzua nga Ambasadori amerikan, Donald Lu. (J.V/Shuplaka)