Shpërthimet e guroreve në fshatin Halilaj, janë denoncuar dhe dhjetëra herë nga banorët e zonës, konkretisht nga ish kryetari i fshatit Kadri Voga.
Njëherësh dhe ish-drejtues policie, Voga denoncon në FaxNews tepër se shpërthimet në këtë fshat, ndonëse e cilësuar “zonë e mbrojtur” kanë ndodhur sërish ditën e sotme vetëm 150 metra larg fshatit.
Kadri Voga: Kemi folur disa herë për këtë çështje. Në fshatin Halilaj, para rreth 10 minutash ndodhi një shpërthim i fuqishëm në afërsi të fshatit, rreth 150 metra larg.
Ai tregon se është vetëm një gurore e cila vazhdon veprimtarinë, konkretisht njofton se ky subjekt i përket Ndriçim Babasit, ish deputetit të PD-së. Sipas Vogës ky aktivitet e ka shkatërruar fshatin, nga i cili thotë se një pjesë e mirë janë larguar.
Voga: Guroret u mbyllën, pasi u quajt Zonë e Mbrojtur, por prapë kanë filluar punimet. Vetëm kjo gurore punon, sepse ky është më i forti i vendit, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe ish-deputet i PD-së. E ka shkatërruar fshatin Halilaj dhe vazhdon të na shkatërrojë.
Voga ka kontaktuar me Policinë dhe i ka bërë me dije rreth shqetësimit të tij, por megjithatë shprehet se ende nuk ka pasur ndonjë reagim. Thirrja e tij, shkon drejt Kryeministrit Edi Rama ku shton se nëse nuk do të ketë asnjë përgjigje ndaj këtij shqetësimi, banorët e fshatit do të mblidhen dhe do të bllokojnë rrugën kryesore.
Voga: Kërkoj ndërhyrjen sa më parë të qeverisë, të Kryeministrit Edi Rama, ose të ikim si fshat. Një pjesë janë larguar. Pasojat janë të rënda. Ky fshat ka mbaruar. Menjëherë kam telefonuar 129, i jam prezantuar dhe i kam treguar mbi shpërthimin. Unë kërkoj të di kush u dha këtyre autorizim për të bërë shpërthime në këtë zonë të mbrojtur. Kush ia ka dhënë autorizimin? Oficeri m’u përgjigj mirë, por ende nuk ka asnjë reagim. Ndoshta kanë probleme të tjera, nuk e di. Komisariati i Krujës është forcuar dhe nuk ma merr mendja që ka lidhje me këtë. Në rast të shpërthimeve të tjera, do të mblidhemi si fshat dhe do të bllokojmë rrugën kryesore. Për një moment e kishim fjetur mendjen, pasi ndaluan shpërthimet si zonë e mbrojtur që është. A zbatohet ligji apo jo? Unë kam qenë shumë vite drejtues policie. Ka patur dhe atëherë situata të shumta, në pushtet ka qenë PD dhe deputeti ka qenë në fuqi të plotë. Merrte shefa komisariati për të ruajtur shpërthimet.
Voga thekson disa herë se problemet e shkaktuara kanë qenë tejet të rënda, deri në humbje jete shprehet ai dhe për këtë arsye do ta ngrejë problemin në SPAK. Në akuzat e tij, përmendet disa herë ish-deputeti, për të cilën shprehet se ka mbështetje nga zyrtarë të shumtë. Aq më tepër, sipas ish-kryetarit të fshatit thuhet se dhe djegia e pishave të zonës është bërë me qëllimin për të hapur më shumë hapësira për aktivitetin e subjektit.
Voga: Është krim i madh, do t’i drejtohemi SPAK-ut për shkatërrim ekonomie dhe njerëzimi. Ndotja shumë e madhe, kanë vdekur 25-30 vetë, janë paralizuar me qindra vetë. Gurorja është në pronësi të Ndriçim Babasit, aty punojnë të gjithë. Bëhen shpërthime ditën dhe natën. Është përkrahur me vite nga Policia, ministrat dhe ish-qeveria në pushtet. Kanë shkelur të gjitha kriteret, asnjë kontroll. Është bërë vendi shkretëtirë. Pishat janë djegur qëllimisht për të hapur vendin. Duhet të shkojnë në ndjekje penale, do ta ndjek që nga fillimi.
Sipas IUCN, “Një zonë e mbrojtur është një hapësirë gjeografike e mirë përcaktuar, e njohur, e dedikuar dhe e menaxhuar përmes mënyrave ligjore ose metodave të tjera efektive, që sigurojnë mbrojtjen afatgjatë të natyrës dhe shërbimeve mjedisore të ekosistemeve që lidhen me të, si dhe vlerave kulturore.”
(Xh.H/FaxWeb.al)