Një tjetër shpërthim, i gjashti që nga muaji qershor dhe i treti në dhjetë ditët e fundit, ka ndodhur gjatë natës së kaluar në qendër të Këlnit.
Shpërthimi mësohet se ka ndodhur në një kafene që sapo ishte hapur, në katin e parë të një pallati. Banorët janë evakuuar menjëherë në një vend aty pranë.
Policia ka lajmëruar se shpërthimi ka ndodhur në orën 02:45 me orën lokale. Për pasojë, dy persona janë plagosur lehtë, ndërsa kafeneja është shkatërruar thuajse plotësisht.
BILD raporton se policia ka përqendruar hetimet në faktin se ky shpërthim mund të ketë lidhje edhe me ngjarjet e ngjashme, që kanë ndodhur më herët në Këln. Efektivët dyshojnë se në shpërthime mund të jetë gisht mafia Mocro, që vepron në rajon.