TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Përmes programit kombëtar të strehimit social, qeveria shqiptare po ofron zgjidhje të përballueshme dhe cilësore për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk mund të përballojnë blerjen e një shtëpie me çmimet e tregut.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjete sociale pamje nga transformimi që ka sjellë ky program, në rehabilitimin e shtëpive të disa familjeve në Kolonjë të Lushnjës.
“Krenarë për Programin Kombëtar të Strehimit Social, që ka ndryshuar jetën e dhjetëra familjeve në nevojë, duke u siguruar atyre një strehë të sigurt dhe kushte më të mira për të ardhmen”, shkroi Gonxhja.
“Është bërë një punë shumë e mirë, pasi shtëpia ishte në kushte shumë katastrofike. Çatia e shtëpisë ishte e prishur dhe jetonim në rrënoja”, u shpreh një banore, shtëpia e së cilës tashmë, falë mbështetje nga programi është rehabilituar plotësisht.
Ndërsa një çift tregon se, kushtet në shtëpinë e tyre ishin shumë të vështira, çfarë binte jashtë hynte brenda, por tani pas rikonstruksionit, banesa është rregulluar plotësisht.
Investimet në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit Social 2025-2026, përfshinë 61 bashkitë e vendit.
Projekti përfshin investime në :
- Banesa sociale nëpërmjet adaptimit të objekteve ekzistuese ose ndërtimit të ri;
- Përmirësim i banesave për komunitete të pafavorizuara;
- Përmirësim i infrastrukturës veçanërisht në zona informale;
- Streha të përkohshme – përmes blerjes, montimit ose adaptimit të objekteve ekzistuese.
Qeveria çeli aplikimet në këtë projekt në dhjetor të vitit 2024 dhe bashkitë dorëzuan dokumentacionin e plotë pranë Drejtorisë së Strehimit brenda deri në datën 31 janar 2025 dhe sot puna për zbatimin e këtij programi ka nisur duke finalizuar dhe përfundimin e punimeve në shtëpitë e para në disa bashki.