Policia greke ka vënë në pranga shqiptarin e kërkuar për vrasje. Ralf Feruku, 48-vjeç nga Melani i Dibrës është ndaluar në Aeroportin e Athinës.
Kontrolli në sistem zbuloi se ndaj tij kishte një urdhër ndalimi dalje nga Greqi si dhe një urdhër arresti për “vrasje me qëllim” dhe “shpërthim eksplozivi”.
Ai akuzohet për ngjarjen e 29 dhjetorit 2014 në rrugën kombëtare “Attiki”, në afërsi të aeroportit të Athinës, ku në ecje e sipër ka shpërthyer me eksploziv automjeti tip “SMART” me targa IMT-2460 duke lënë të vdekur drejtuesin e mjetit shtetasin Aleks Rapo 35-vjeç dhe duke plagosur rëndë pasagjeren Maria Lamja atëherë 26 vjeç, me origjinë nga Tirana.
Në banesën e 35-vjecarit të vrarë në “Ag. Dimitrios” policia gjeti pistoleta, një revole, 103 fishekë dhe një granatë. Ai kishte precedentë të mëparshëm për trafik droge, armësh dhe njerëzish, ndërsa u arrestua në vitin 2004 në Selanik dhe u dënua me tetë vjet burg. Ai u lirua katër vjet më vonë nga burgu i Larisës. Rapo ndërkohe, siç shkruhet më vonë ne disa media për të, ishte i përfshirë në grabitjen me shpërthim të ATM-ve me metodën “plofkraak” dhe mbante marrëdhënie me një bodyguard të vjetër në Iliupoli. Ky i fundit ishte akuzuar për çështje droge dhe trafik dhe shfrytëzim femrash. Ai kishte marrëdhënie dhe me njerëz te grupit të Arber Bakos, i cili u vra në burg disa vite më parë nga pjesëtarë të të njëjtit grup.