23-vjeçari Vilson Brahja ka dalë sot para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë pasi i vendosi tritolin banesës së Gazmir Dacit, i cili momentalisht është duke vuajtur dënimin në burg për vrasje.
Gjykata ka vendosur masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për 23 vjeçarin. Ai nuk ka pranuar të tregojë emrin e porositësit por ka treguar karakteristikat e tij.
Brahja ka pranuar autorësinë por ka thënë se është kontaktuar nga një person që nuk e njeh, ndërsa ka treguar se për vendosjen e tritolit ai kishte caktuar shumën prej 5 mijë eurosh.
23-vjeçari ka thënë se nuk e dinte se nuk e dinte se familjet Daci dhe Kolaveri ishin në hasmëri duke u justifikuar se tritolin e kishte vendosur për hall, ndësa lajmin se e kujt ishte shtëpia e kishte marrë vesh më vonë.
Kujtojme se Gazmir Daci është në burg i dënuar me 35 vite për vrasjen e Valmir Kolaverit.
Njoftimi i policisë:
Kamëz, Tiranë
Finalizohet operacioni “Pagesa”
Zbardhet në kohë rekord nga Komisariati Nr 5, ngjarja e shpërthimit të një sasie tritoli në banesën e shtetasit XH.D në Kamëz.
Kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i vendosjes së lëndës eksplozive.
Sekuestrohet automjeti me të cilin autori ka lëvizur dhe transportuar lëndën shpërthyese.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Numër 5 Kamëz, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas një punë profesionale si dhe bazuar në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, mbrëmjen e djeshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa”, ku është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 27.07.2018, në rrugën “Martin Camaj” Bathore, ku në banesën e shtetasit Xh.D., është vendosur lëndë shpërthyese, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe ndalimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje:
– V.B, 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz ,Tiranë.
Nga tërësia e veprimeve të kryera dyshohet se ky shtetas kundrejt pagesës ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e shtetasit XH.D.
Autori i dyshuar pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”.
Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhënë të tjera .
Sa më sipër në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti të cilin autori i dyshuar e ka përdorur për të transportuar dhe shpërthyer lëndën plasëse në banesën e shtetasit Xh. D.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit V. B, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.
(B.H/Faxweb)